Pavol Szalai, drejtues i redaksisë së BE-Ballkan tek “Reporterët pa Kufij” duke folur për DW për sa ka ndodhur në Shqipëri në mjediset e News24 ngre shqetësim për të drejtat e gazetarëve dhe të publikut për informim.

DW: Të dielën e kaluar, televizionit privat „News24″ iu pre sinjali i transmetimit gjatë një aksioni shtetëror. Gazetarët e konsiderojnë këtë sulm ndaj lirisë së medias. Cili është qëndrimi juaj rreth çështjes?

Pavol Szalai: Pamundësinë e gazetarëve për të ushtruar detyrën e tyre dhe të drejtën për informim ne e konsiderojmë problem për lirinë e shtypit. Është gjithashtu problem për të drejtën e qytetarëve për informim, sepse “News24” është një ndër kanalet më të mëdha. E kuptoj që ka një proces gjyqësor për pronën dhe sipas informacioneve publike, pronari i këtij grupimi mediatik e ka humbur në gjykatë të drejtën për këtë pronë. Gjithsesi, ne duhet të ndajmë qartazi interesat apo shqetësimet e pronarit të medias dhe të drejtave të gazetarëve. Dhe ne jemi të gëzuar që Gjykata e Tiranës arriti gjithashtu në të njëjtin përfundim kur dha masën e përkohshme. Por, problem është fakti që ky vendim nuk po zbatohet.

DW: A keni marrë ankesa nga ky television apo gazetarë që punojnë pranë “Focus Group”?

Pavol Szalai, RSF: Po, ne jemi në kontakt me gazetarë dhe burime tonat në Shqipëri të cilët ndjekin nga afër situatën. Dhe ne shqetësohemi për gazetarët dhe të drejtën e tyre për të infomuar. Dhe situata që ndodhi të shtunën e kaluar, më konkretisht ndërprerja e energjisë elektrike nga policia dhe ndalimi i gazetarëve për të hyrë në mjediset e “News24” dhe për të dalë në transmetim, ishte përpjekje për të penguar të drejtën për informim dhe ne e denoncuam këtë përpjekje gjatë fundjavës.

DW: Një nga shqetësimet kryesore të gazetarëve ka qenë se gjatë operacionit policor dhe boshatisjes së zyrave të tyre, janë marrë edhe laptopë apo kompjuterë që përmbajnë informacion delikat, për të cilat gazetarët nuk janë njoftuar paraprakisht. A keni ndonjë koment për këtë?

Pavol Szalai, RSF: Po, ky është kërcënim ndaj burimeve të gazetarëve. Konfidencialiteti i burimeve gazetareske është gur themeli në lirinë e shtypit dhe shqetësim mbetet fakti se kur gazetarët u rifutën në godinë për të marrë sendet e tyre, ata duhet të dorëzonin telefonat e tyre tek agjentët ligjzbatues që ishin aty. Pra, ky është problem për të cilin gykata vendosi dy ditë më parë dhe qartësisht shprehu nevojën për mbrojtjen e konfidencialitetit të burimit. Ky konfidencialitet është në përgjithësi çështje madhore në Shqipëri. Kjo nuk është hera e parë që rrezikohet dhe ne jemi të gëzuar që gjykata përpiqet ta mbrojë, por nevojitet që autoritetet shtetërore t’i respektojnë vendimet e gjykatave.

DW: A do të ndikojë kjo ngjarje lidhur me lirinë e shtypit në Shqipëri?

Pavol Szalai, RSF: Këtë do ta shohim kur të publikohet indeksi i ardhshëm, të cilin zakonisht ne e publikojmë në muajin maj të çdo viti. Në indeksin e kaluar, Shqipëria u rendit e 80-ta nga 180 vende. Renditet ndër vendet me performancën më të keqe në Europë dhe në Ballkan është e katërta, nga gjashtë shtete, duke u ndjekur nga Serbia dhe Kosova. I gjithë ky lëmsh, sepse e tillë ishte ajo çfarë ndodhi të shtunën e kaluar, pasqyron mjedisin problematik dhe kushtet shumë, shumë të vështira, përfshirë dhe ato financiare, në të cilën gazetarët në Shqipëri ushtrojnë detyrën e tyre.  Mendoj se është përgjegjësi e pronarit të medias të krijojë kushte të përshtatshme për gazetarët dhe kompaninë. Dhe nëse media ndodhet në mjedise të cilat duhet të lirohen sipas gjykatës, por nëse pronari nuk merr të gjitha masat e nevojshme për ta bërë këtë, atëherë është problem. Pa dyshim që policia nuk respektoi një proces të rregullt dhe proporcional. Ne e kemi kritikuar këtë dhe të njëjtin vendim dha edhe gjykata dy ditë më parë. Por duhet nënvizuar edhe fakti se pse nuk u morën masat për gjetjen e mjediseve të reja për televizionin. Nuk duhet të fshihemi pas këtyre problemeve.

Në fund të fundit, pasojat i vuan qytetari i cili s’ka qasje në median që ai ndjek ose sheh. Interesi i qytetarit për informim është parësor, por gjithashtu parësore janë edhe interest e gazetarëve. Dua të shpreh solidaritet me gazetarët e “Focus Media Group”, sepse të drejtat e tyre janë shkelur, përveç së drejtës për informim. Dhe po, mendoj që është shkelur dhe pluralizmi i informimit në Shqipëri.

DW: Qeveria shqiptare planifikon të vërë në zbatim një projekt të industrisë së mbrojtjes në këtë truall. Në dijeninë tuaj, a ka raste të ngjashme në Ballkan dhe Europë, dhe nëse po, si është vepruar?

Pavol Szalai, RSF: Shqipëria është një vend që krahasohet me shtetet e tjera europiane, sidomos me shtetet anëtare të Unionit Europian ku dëshiron të hyjë. Gjatë pesë viteve që ushtroj këtë detyrë dhe mbaj këtë pozicion pranë “Reporterë pa Kufij”, unë nuk di as edhe një rast tjetër të ngjashëm me këtë. Situata në Shqipëri, kur vjen puna tek marrëdhëniet mes pronarëve të medias dhe qeverisë është shumë e veçantë. Kjo marrëdhënie ose është shumë e keqe, ose krejt e kundërta: pronarët mediatikë dhe politikanët kanë lidhje shumë të ngushta, çka është diçka jo e mirë gjithashtu. Dhe kjo situatë kaq e veçantë, dëmton. Do të thoja që dëmton gazetarët dhe të drejtat e qytetarëvve. Dhe kjo është një ndër arsyet se pse Shqipëria renditet aq ulët në indeksin tonë. /DW/