Presidenti Rexhep Tajip Erdogan u bëri thirrje turqve të hënën të bojkotojnë firmat franceze, pas deklaratave të presidentit francez Emmanuel Macron.
“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të jesh mysliman dhe të jetosh një stil islam në vendet perëndimore”, tha presidenti në një ngjarje të organizuar për Mawlid an-Nabi (lindja e Profetit Muhamed) në Ankara, shkruan Daily Sabah.
Duke shprehur se Turqia e konsideron Islamofobinë si çështje të sigurisë kombëtare dhe vepron sipas saj në këtë drejtim, Erdogan i bëri thirrje BE-së të ndërmarrë veprime kundër këtij “krimi të urrejtjes”.
“Unë besoj se institucionet e BE kanë një përgjegjësi të madhe në trajtimin e Islamofobisë. Këshilli Evropian nuk mund të injorojë Islamofobinë”, ka thënë ai.
“Politikanët evropianë duhet t’i bëjnë thirrje Macron, i cili udhëheq urrejtjen anti-myslimane në kontinent, të ndalojë politikat e tij”, ka vazhduar Erdogan.
Ndryshe, sipas DailySabah, Macron të mërkurën tha se ai nuk do të parandalojë botimin e karikaturave fyese të Profetit Muhamed me pretekstin e lirisë së shprehjes, një deklaratë që shkaktoi zemërim në botën arabe dhe myslimane.
Macron këtë muaj gjithashtu përshkroi Islamin si një fe “në krizë” në të gjithë botën dhe tha se qeveria do të paraqiste një projekt-ligj në dhjetor për të forcuar një ligj të vitit 1905 që ndau zyrtarisht kishën nga shteti në Francë.
Ai njoftoi mbikëqyrje më të rreptë mbi shkollimin dhe kontroll më të mirë mbi financimin e huaj të xhamive.
Comments are closed for this post.