Qendra për demokraci ekologjike Florazon në bashkëpunim me NP “Higjiena Komunale” – Shkup, prej sot fillon me vendosjen e 75 enëve të specializuara për hedhjen e mbeturinave të pajisjeve mbrojtëse – maska ​​dhe doreza në tërë territorin e vendin.

Siç theksoi sot në konferencë për shtyp kryetari i Qendrës Florazon, Kiril Ristovski, përmes këtij projekti ata duan të ndikojnë drejtpërdrejtë në uljen e rreziqeve të përhapjes së mëtutjeshme të koronavirusit, e në të njëjtën kohë të ndikojnë në zvogëlimin e të ashtuquajturës kovid mbeturina.

“Përmes këtij projekti, ne duam të nxisim përgjegjësinë sociale në sektorin privat dhe publik dhe gjithashtu përmes kësaj të ndikojmë në përforcimin e vetëdijes ekologjike publike dhe të nxjerrim në pah dobësitë e praktikave aktuale të sistemit të administrimit të mbeturinave”, tha Ristovski.

Ndërmarrja Publike “Higjiena Komunale” do t’i transportojë këto mbeturina së bashku me ato komunale. Zëdhënësja e kompanisë Ana Marija Brangjolica u bën apel qytetarëve që pajisjet e mbrojtjes që do të ruhen në këto kontejnerë, të paketohen siç duhet, në mënyrë që të mbrohet në mënyrë parandaluese shëndeti i punonjësve në kompani, të cilët vijnë në kontakt të përditshëm me këtë mbetje potencialisht të rrezikshme dhe të kontaminuar.

“NP Higjiena Komunale – Shkup, që nga fillimi i shpalljes së pandemisë së virusit KOVID-19, ka implementuar seri masash dhe aktivitete urgjente me qëllim të arritjes së nivelit maksimal të higjienës dhe pastërtisë në zonat publike dhe në komunikacionin në qytet. Ky është një nga kontributet tona në luftën kundër virusit Kovid-19 dhe mbrojtjen e shëndetit publik”, tha Brangjolica.

Qendra për demokraci ekologjike Florazon përmes projektit “Bëhu përgjegjës për veten dhe mjedisin tonë edhe në kushte të pandemisë”, lidhi marrëveshje me disa zinxhirë të marketeve, mes tjerave edhe me “Tineks”. Siç thotë Cvetanka Hristovska, drejtore e markave të “Tineks”, kompania në kohën e pandemisë respekton plotësisht rekomandimet dhe masat për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Në ditët e kaluara, në bashkëpunim me Florazon, para marketeve tona, në vendet ku deponohen mbeturinat më së shumti, vendosëm enë të posaçme për mbeturina të maskave mbrojtëse dhe dorezave të disponueshme që përdoren gjerësisht në këtë periudhë dhe duke marrë pjesë në këtë projekt shpresojmë të kontribuojmë për më shumë siguri nga përhapja e virusit. Ne u bëjmë thirrje atyre që të asgjësojnë dhe selektojnë siç duhet mbeturinat, sepse vetëm në atë mënyrë ne bashkërisht mund të kontribuojmë në mbrojtjen e mjedisit më të shëndetshëm dhe mbrojtjen nga ky virus i rrezikshëm”, tha Hristovska.

Paralelisht me këtë proces, Qendra Florazon lidhi marrëveshje dhe nënshkroi memorandume me ndërmarrjet e shërbimeve publike të Qytetit të Shkupit, Kumanovës, Kërçovës, Ohrit dhe Strugës.