Në bazë të provave të siguruara gjatë procedurës hetimore të zhvilluar kundër anëtarëve të grupit kriminal “Belanoca-Baron” në rastin e koduar “Bunker”, nën udhëheqjen e prokurorit nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, sot në orët e paradites, njësitet e MPB-së kanë kryer bastisje në pesë lokacione në Shkup. Gjatë kontrolleve janë ndaluar katër persona, ndërsa në banesën e njërit prej të dyshuarve është gjetur një sasi e madhe marihuanë, e cila do t’i nënshtrohet analizës mjeko-ligjore.

Prokurori Publik ka lëshuar urdhëresë për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj katër të arrestuarve për të cilët ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën e Bashkim Kriminal dhe veprën Vrasje, si dhe një nga të dyshuarit ka kryer edhe veprën e prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe lëndëve psikotrope.

Sipas provave të siguruara, gjatë vitit 2023 të dyshuarit janë bërë anëtarë të një grupi që ka vepruar për një periudhë më të gjatë kohore dhe ka pasur për qëllim kryerjen e krimeve të vrasjes për hakmarrje dhe vrasjes me pagesë, e cila dënohet me të paktën dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe krime të tjera. Ata, duke pranuar vendimet dhe udhëzimet e organizatorëve të grupit kriminal, në vazhdimësi kanë ndërmarrë veprime për sigurimin e kushteve, heqjen e pengesave dhe vënien në dispozicion të fondeve për ekzekutimin e urdhrave për heqjen nga jeta të njerëzve. Kështu, tre nga të dyshuarit, gjatë muajit korrik 2023, në territorin maqedonas dhe grek, të nxitur dhe me urdhër të një organizatori të dyshuar më parë të grupit, kanë ndërmarrë veprime për zbulimin e vendndodhjes së të dëmtuarit dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale, gjatë së cilës i është hequr jeta një anëtari i grupit të organizuar kriminal kundërshtar Grçec në Greqi. Në maj të vitit 2024, para objektit të të ashtuquajturës Rruga Plastiçarska, dy të dyshuar kanë kryer vrasjen e një personi dhe duke u larguar nga vendi i ngjarjes kanë shtënë në një automjet të parkuar aty pranë, duke lënduar persona të tjerë, njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike.

Prokurori publik kompetent, duke konsideruar se për tre të dyshuar janë plotësuar kushtet, do t’i paraqesë propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa për një të dyshuar propozim për caktimin e masave të sigurimit.