Blogerja e njohur amerikane, Gabby Petito, vdiq nga mbytja. Ky është rezultati i autopsisë për 22-vjeçaren, që u publikua sot nga mjeku ligjor, Brent Blue.

Në një deklaratë zyrtare, mjeku tha se trupi i Petito u gjet në një kamp me shenja të mbytjes, por nuk dha specifika të tjera.

BBC raporton se mjeku nuk mund të zbulonte detaje të raportit të saj toksikologjik, por tha se ajo nuk ishte shtatzënë në kohën kur ka humbur jetën.

Trupi i 22-vjeçares u gjet në fund të muajit shtator, ndërsa u raportua e zhdukur nga familjarët, pas një udhëtimi me të fejuarin e saj Brian Laundrie.

I riu konsiderohet si personi që ka gisht në këtë ngjarje, edhe pse nuk është ngritur një akuzë e drejtpërdrejtë për të.

Laundrie është shpallur në kërkim, por ende nuk është gjetur, pavarësisht angazhimeve të policisë dhe FBI’së për ta kapur atë.