hqipëria dhe Mali i Zi janë dy shtetet që e kanë energjinë elektrike për familjarët, më të shtrenjtën në rajon, sipas tabelave të publikuara në faqen e Institutit Europian të Statistikave, Eurostat.
Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me 6-mujorin e parë 2015, çmimet e energjisë elektrike për familjarët (pa përfshirë taksat) për Shqipërinë janë rritur me rreth 15% deri në fund të 2019-s. Në 6- mujorin e parë të 2015-s, çmimi mesatar ishte 0.0676 euro për kilovat orë dhe në gjysmën e dytë të 2019-s arriti në 0.0778 euro.
Në Europë, më e lira është Ukraina (0.041 euro/kvh), Gjeorgjia (0.052) dhe e treta më e lira është Kosova.
Mesatarisht, konsumatorët familjarë në shtetet e Bashkimit Europian e paguajnë energjinë 0.128 euro/kvh (1.6 herë më shumë se në Shqipëri dhe 2.4 herë më shumë se në Kosovë) për vitin 2019. Energjia është më e shtrenjtë në Irlandë (0.213) dhe më e lirë në Bullgari (0.8 euro/kvh) deri në fund të 2019-s.
Sipas Eurostat, çmimi i energjisë në BE-27 varet nga një sërë kushtesh të ndryshme të ofertës dhe kërkesës, duke përfshirë situatën gjeopolitike, përzierjen kombëtare të energjisë, diversifikimin e importit, kostot e rrjetit, kostot e mbrojtjes së mjedisit, kushtet e rënda të motit, ose nivelet e akcizës dhe taksimit
Kriza e energjisë
E gjithë Europa ka hyrë në një krizë të thellë energjie për shkak të kufizimit të burimeve të prodhimit dhe rritjes së shpejtë të kërkesës pas pandemisë. Dimri i ftohtë në Europë dhe në Azi çoi në uljen e rezervave të gazit, ndërsa rimëkëmbja ekonomike nga pandemia ka rritur kërkesën dhe shpejtësia më e ulët e erës në Europë këtë verë, ka zvogëluar prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Çmimet e gazit natyror në Europë janë rritur, duke shtuar frikën e një krize të mundshme karburanti në dimër dhe duke rrezikuar gjithashtu rimëkëmbjen ekonomike. Javën e kaluar, çmimet e gazit arritën gati 10 herë më të larta që nga niveli i tyre në fillim të vitit. Ato u ulën prapë pasi Putin sinjalizoi se Gazprom mund të rriste furnizimet.
Edhe energjia elektrike është bërë më e shtrenjtë në Europë. Në Bursën e Hungarisë, që është tregu ku Shqipëria blen energji, çmimi ka arritur në rreth 220 euro/megavat orë, nga rreth 50 – 60 euro/megavat orë në muajt e parë të vitit.
Qeveria shqiptare shpalli emergjencën për furnizim të premten (8 tetor) deri më 15 prill 2022, duke pezulluar planet e investimit të tre kompanive publike. Ministria e Financave duhet të sigurojë mekanizmat financiarë për importet.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të ketë rritje të çmimit për konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, ndërsa për Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të japë një mbështetje prej 100 milionë euro këtë vit dhe 100 milionë euro vitin e ardhshëm për të garantuar sigurimin e pandërprerë me energji.
Comments are closed for this post.