Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi ka paralajmëruar se do të shpërbëjë Dhomën ligjvënëse më 11 shkurt ose 60 ditë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të caktuara më 12 prill. Me këtë hapet dilema nëse vendi do të ketë Kuvend funksional që të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO.
Sipas njeriut të parë të Dhomës ligjvënëse, Talat Xhaferi, nuk ekziston mundësi të thirret Kuvendi nëse ka nevojë të ratifikohet Protokolli për anëtarësim në NATO. Për këtë siç deklaroi Xhaferi në brifingun e djeshëm për gazetarë do të duhet të pritet në përbërjen e re parlamentare. Për këtë çështje, siç ka shtuar ai, “deri tani nuk ka biseduar me liderë të partive politike”.
Kryeministri Zoran Zaev ka shprehur bindje se ratifikimi do të përfundojë në kohë.
“Unë besoj se me kohë do ta kryejmë këtë punë. Shteti po bëhet gati, që ne me institucionet tona, në këtë rast Parlamentin, mos të jemi pengesë. Kjo nënkupton se Parlamenti me kohë ta miratojë Ligjin e ri për mbrojtje. Kjo është me rëndësi për shkak se përmes tij, ne adaptohemi me gjithë ato obligime si anëtare e re e NATO-s, kuptohet edhe për ratifikimin me kohë të Protokollit në Parlamentin tonë”, theksoi Zaev.
Ai po ashtu theksoi se nder i madh është që SHBA-ja e përfundoi ratifikimin për Protokollin në NATO, të cilin tradicionalisht ata e realizojnë të fundit.
Edhe lideri i opozitës, OBRM-PDUKM, Hristijan Mickoski ka thënë se nëse Kuvendi shpërbëhet, ai përsëri duhet të mblidhet.
Ai dje ka deklaruar se në takimin e liderëve tek presidenti i shtetit është biseduar për mundësinë të thirret veçmë Parlamenti i shpërndarë, nëse paraqitet nevoja e ratifikimit të Protokollit në NATO.
Edhe presidenti i vendit, Stevo Pendarovski në takimin e liderëve kohë më parë ka apeluar deri te partitë politike gjatë konfirmimit të datës së zgjedhjeve të kenë parasysh ratifikimin e protokollit për anëtarësim që të mos vjen në situatë shteti të ketë Parlamentin jofunksional dhe të mos mund të ratifikojë Protokollin.
Protokolli për anëtarësim në NATO duhet të ratifikohet në Parlamentin tonë pasi ratifikimi të kalojë në Parlamentet e vendeve anëtare të Aleancës. Deri tani, Protokollin e kanë ratifikuar 26 shtete, ndërsa mbetet edhe Franca, Holanda dhe Spanja. Në Spanjë pritet ratifikimi të kalojë në dhjetor kur dhe do të konstituohet Parlamenti spanjoll.
Comments are closed for this post.