Ne dëshirojmë deeskalim dhe dialog, tha shefi i diplomacisë bullgare, Nikolaj Milkov, i pyetur për marrëdhëniet dypalëshe me Maqedoninë e Veriut. Në këtë drejtim, siç njoftoi Milkov, do të zhvillohet edhe biseda telefonike e kryeministrave të dy vendeve, Dimitar Kovaçevski dhe Galab Donev.

“Një nga elementët në këtë bisedë do të jetë sigurisht siguria, si përgjithësisht e bullgarëve atje, ashtu edhe për sa i përket asaj që do të ndodhë më 4 shkurt”, tha Nikolai Milkov, Ministër i Jashtëm i Bullgarisë.

Milkov tha se Ministria e Jashtme Bullgare do të dërgojë një notë në Shkup, në të cilën do të kërkojë nga institucionet që të mundësojnë nderimin, por edhe garantimin e sigurisë për të gjithë bullgarët që do të përkulen para varrit të Goce Dellçevit më 4 shkurt. Kjo vjen pas shpalljes së bllokimit të rrugëve në rrjetet sociale në vend, për të penguar vizitën e paralajmëruar e djathtistëve bullgarë në varrin e Dellçevit.

Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, në një intervistë ka bërë thirrje për qetësi dhe përmbajtje, duke shtuar se qytetarët të mos i bllokojnë rrugët. Ndërkohë sipas Milkov në konferencë, ambasadori bullgar Angel Angelov, mund të kthehet menjëherë në vendin tonë, pas bisedës Kovaçevski-Donev.

“Ai mund të kthehet nëse krijohen kushtet për këtë, pra nëse fillon një dialog i nivelit të lartë, në të cilin duhet të marrë pjesë ai, pra nëse organizohen vizita dhe bisedime”, shtoi Nikolai Milkov – Ministër i Jashtëm i Bullgarisë .

Diplomacia bullgare përsëriti se procesi i de-eskalimit, të cilin e presin, duhet të rezultojë me respektimin e të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut.