Ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani sot fillon turneun evropian.

Në vazhdën e tij, sot do të qëndrojë në Gjermani, ku në Berlin bashkë me homologun e tij gjerman, Hajko Mas do të kenë paraqitje para mediave, me fillim prej ora 10:00.

Në Berlin, do të takohet edhe me Ministrin Shtetëror të angazhuar për Europë, Mihael Roth, me Uve Korsepius, këshilltar për BE në zyren e Kancellares Merkel, si dhe me shumë përfaqësues të grupacioneve politike dhe Komisioneve në kuadër të vizitës së Bundestagut gjerman.

Nga Berlini, Osmani të martën (4 maj) direkt udhëton për Kopenhagë, në takim me homologun dhe nikoqirin e tij, Ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Jepe Kofod. Turneu diplomatik i Osmanit vazhdon me vizitë pune në Stokholm (5 maj), ku do të pranohet nga nikoqiri i tij, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, An Linde.

Gjatë ditës është paraparë që Osmani të realizoj takim edhe në Parlamentin suedez, Riksdag, ku do të ketë takime me zëvendësen e parë dhe të dytë- kryeparlamentare Lota Fornave dhe Kirsten Lundgren. Në Agjendën e Ministrit në kuadër të vizitës në Suedi janë edhe takim me Ana Sandstrom, Këshilltare për BE e Kryeministrit Loven, si dhe Sekretarja shtetërore e angazhuar për çështje evropiane, Paula Olovson.

Turneu diplomatik i Osmanit vijon në periudhën e aktivitetit diplomatik të përforcuar, në kontekst të integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut. Përskaj raporteve bilaterale, tema qendrore e takimeve do të jetë dosja evropiane e vendit dhe sigurimi i mbështetjes me qëllim të qartë, zbatimin e vendimit të Këshillit të BE-së nga marsi i vitit të kaluar për nisjen e bisedimeve, përmes miratimit të Kornizës negociuese dhe mbajtjen e Konferencës ndërqeveritare.