Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Beogradin ditën e sotme, 13 shtator. Ajo do të mbërrijë në Aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit në orën 16:00 pasdite, ku do të qëndrojë një ditë për të mbërritur më pas në Tiranën zyrtare, në një takim me kryeministrin Edi Rama.

Gjatë vizitës së kancelares në Beograd do të jenë në fuqi masa të rrepta sigurie.

“Blic” shkruan se do të ketë 2 helikopterë policie në terren gjatë vizitës 2-ditore. Anëtarët e ministrisë së Brendshme do të vendosen në të gjithë rrugën në të cilën do të lëvizë Angela Merkel. Sipas burimeve të “Blic” rreth 600 persona do të jenë përgjegjës për sigurinë e kancelares gjermane.

Gjithashtu do të marrin pjesë më shumë se 50 anëtarë të Njësisë së Sigurimit të Personelit, 100 pjesëtarë të xhandarmësirë, 400 policë të Beogradit dhe 10 pjesëtarë të Njësisë Speciale Antiterroriste.
Disa ekipe zjarrfikësish dhe ekipe mjekësore do të jenë në detyrë gjatë gjithë kohës.

Përgatitjet e tjera për ardhjen e Angela Merkel janë drejt përfundimit. Flamujt u vendosën para Pallatit të Serbisë, si dhe në Kullën Genex në Beogradin e Ri, ku do të kalojë delegacioni.

Angela Merkel do të mbërrijë në Serbi sot pas orës 16:00, dhe ajo do të kalojë natën në Beograd.

Sa i përket vizitës së saj në Shqipëri, Merkel pritet të mbërrijë në datën 14 në Tiranë ku do të takohet fillimisht me kryeministrin Rama.

Më pas Merkel do të mbledhë krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në plan të parë do të jenë çështjet e bashkëpunimit rajonal. Gjithashtu janë planifikuar bisedime kokë më kokë me krerët e qeverive të Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Vizita e Merkel vjen në kuadër të procesit të Berlinit. /OraNews/