12 tetor 2022, Shkup – Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë kishte reagim të fuqishëm fiskal në rajon, madje shumë herë më të fuqishëm se vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, gjë që u vlerësua edhe nga Banka Botërore. Por, në këtë krizë, nuk do të luftojmë vetëm me masa, ajo do të zhvillohet në disa rrafshe.
Krahas pakos së masave antikrizë, u ndërmorën masa për qëndrueshmërinë fiskale dhe ruajtjen e stabilitetit, si dhe reforma në financat publike që do të kontribuojnë për sistem më të mirë të financave publike, i cili do të përshpejtojë rritjen pas krizës, shkruan ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

Ai potencoi se përmes politikave qeveritare ajo duhet të balancohet, përkatësisht nga njëra anë, duhet të ruhet aktiviteti ekonomik në zonën pozitive, siç është stabiliteti social dhe nga ana tjetër, duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, nga aspekti i borxhit dhe inflacionit.

“Lufta jonë kundër krizës përbëhet nga tre komponentë. Së pari, ballafaqimi i vazhdueshëm i krizës dhe mbrojtja e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive. Së dyti, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale dhe me këtë edhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik. Së treti, zbatimi i reformave dhe krijimi i sistemit të ri dhe më të mirë të financave publike, i cili pas rimëkëmbjes së ekonomisë do të kontribuojë në rritjen e përshpejtuar ekonomike”, pohon Besimi.

Ministri i Financave thekson se në fillim të krizës, për t’a frenuar përhapjen e presioneve inflacioniste, u ndërmor pakoja e masave prej 400 milionë eurove, që më pas u plotësua me masa në rishikimin e buxhetit, ndërsa si pako e tretë е masave është pakoja e fundit  e cila u prezantua pak ditë më parë në vlerë prej 360 milionë eurove.
“Që nga fillimi i krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria jonë reagoi fuqishëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sipas vlerësimeve të Grupacionit të Bankës Botërore ky reagim ishte rreth 5% e PBB-së. Bëhet fjalë për përkrahje në formën e subvencioneve, mbrojtjes sociale, lirimeve tatimore dhe përkrahje të kompanive vendase energjetike. Për krahasim, në Serbi është 2.5% e PBB-së, në Kosovë me rreth 2.1%, në Shqipëri 1.4%, në Bosnjë dhe Hercegovinë 0.5% dhe në Mal të Zi 0.1%”, shkruan Besimi.

Krahas masave antikrizë, në drejtim të qëndrueshmërisë fiskale, Qeveria miratoi edhe planin që do t’i ulë kostot e shfrytëzuesve të buxhetit, por njëkohësisht do të përmirësojë arkëtimin e të hyrave në buxhet.

“Në kuadër të planit përfshihet konsolidimi i kostove të pagave nëpërmjet racionalizimit dhe optimizimit të të punësuarve në sektorin publik bazuar në analizën funksionale, riorganizimi i mënyrës së kryerjes së detyrave të punës në varësi të natyrës së tyre si dhe puna nga shtëpia deri në 30% të të punësuarve, me rotacion, pa ndërprerë funksionimin e rregullt të institucionit. Gjithashtu, parashihet konsolidimi i shpenzimeve për mallra dhe shërbime, nëpërmjet kursimit të shpenzimeve të zhdrejta dhe të udhëtimit dhe furnizimeve të zyrës. Njëkohësisht, do të vijojë puna për përmirësimin e arkëtimit të detyrimeve përmes avancimit të mëtejshëm të rregullativës tatimore në drejtim të optimizimit të sistemit tatimor, si dhe përforcimit të kapaciteteve për mbledhjen e të hyrave publike dhe përshpejtimin e arkëtimit të të hyrave nga debitorët tatimorë dhe doganorë” shkruan ministri i Financave, Besimi.