Dy diplomatë rusë u shpallën persona ‘’jo grata’’ nga qeveria gjermane pasi një gjykatë në Berlin vendosi se Rusia urdhëroi vrasjen e një qytetari gjeorgjian në kryeqytetin gjerman në vitin 2019, deklaroi ministrja e Jashtme Annalena Baerbock.

Masa iu komunikua të mërkurën ambasadorit rus Sergej Nechaev gjatë një takimi në ministrinë e Jashtme, tha Baerbock.

Vrasja ndodhi më 23 gusht 2019 në parkun Kleiner Tiergarten të qytetit. Prokurorët thonë se ishte një akt hakmarrjeje nga Moska për pjesëmarrjen e gjeorgjianit në luftën e dytë çeçene dhe “armiqësinë e tij ndaj shtetit rus”.

‘’Përfshirja ruse në vrasje ishte një shkelje e rëndë e ligjit gjerman dhe sovranitetit të Republikës Federale të Gjermanisë”, tha Baerbock.

“Qeveria federale do të bëjë gjithçka që duhet për të garantuar sigurinë në vendin tonë dhe pajtueshmërinë me sistemin tonë ligjor”, shtoi ajo.

Për këtë vrasje është dënuar me burgim të përjetshëm një shtetas rus 56-vjeçar. Gjykata deklaroi se vrasja ishte kryer në emër të autoriteteve shtetërore ruse.