Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka marrë sot pjesë për herë të parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike që prej pezullimit dhe përjashtimit të tij. 

Në një komunikim me gazetarët pas mbledhjes, Berisha i ka kthyer përgjigje kryetarit të Grupit Parlamentar te PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili u shpreh më herët se Berisha nuk është pjesë e Grupit Parlamentar.

Berisha tha se e cilëson ‘nul’ vendimin e marrë nga kryetari i larguar, Lulzim Basha.

“Vendimi që pretendon Alibeaj është nul”, tha Berisha.

Kërkesës për të bërë një hap pas, ish kreu i PD-së iu përgjigj duke thënë se ‘të krahasosh fituesin me humbësin është një gabim i madh logjik’.

Për deklaratën se në PD nuk mund të ketë persona ‘non grata’ Berisha, tha se për këtë çështje ka folur anëtarësia e partisë.

“Ajo është zgjedhje e tij, por demokratët kanë folur më 11 dhjetor, 18 dhjetor kanë folur më 6 mars”, shtoi kryeministri.

Sipas Berishës është ‘rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj’.

“Ka një diversitet, që e bën edhe më demokratike PD”, tha Berisha duke iu referuar grupimit që mbështet atë dhe grupimit tjetër pro Bashës.

Berisha u pezullua si anëtar i PD në shtator 2021, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA dhe më pas në janar 2022 u përjashtua nga partia pak pas Kongresit të thirrur prej tij, raporton Euronews Albania.