Bashkimi Evropian njoftoi se e mirëpret rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për propozimin e fundit për armëpushim në Gaza.
“BE-ja mirëpret miratimin e rezolutës 2735 të KS-OKB-së, duke mbështetur propozimin e ri për armëpushim të shpallur më 31 maj”, thuhet në një deklaratë.
Duke bërë thirrje për zbatimin e rezolutave 2728, 2720 dhe 2712 të KS-OKB-së në deklaratë thuhet: “BE-ja rikujton mbështetjen e saj të plotë për udhërrëfyesin gjithëpërfshirës të paraqitur nga presidenti i ShBA-së, Joe Biden. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të pranojnë dhe zbatojnë propozimin trefazor”.
Në deklaratë ritheksohet se BE-ja është e gatshme të kontribuojë në ringjalljen e një procesi politik për një paqe të qëndrueshme, të bazuar në një zgjidhje me dy shtete si dhe të mbështesë një përpjekje të koordinuar ndërkombëtare për të rindërtuar Gazën.
KS-OKB-ja dje miratoi një rezolutë që mbështet propozimin për armëpushim në Gaza të shpallur muajin e kaluar nga presidenti amerikan Biden.
Rezoluta e paraqitur nga ShBA-ja mori 14 vota, pro në Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh ndërsa Rusia abstenoi. Rezoluta thekson përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Egjipti, ShBA-ja dhe Katari dhe mirëpret propozimin trefazor të Bidenit të paraqitur më 31 maj.
Rezoluta thekson se Izraeli e ka pranuar propozimin e Bidenit dhe i bën thirrje grupit palestinez Hamas që të bëjë të njëjtën gjë dhe ta zbatojë atë.
Comments are closed for this post.