Neymari do të kthehet së shpejti në Paris të Francës për të mos e tensionuar situatën mes Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, përveç nëse klubi francez vendos t’i japë atij pushim më të gjatë.

Neymari e la Paris Saint-Germainit në maj dhe kërkoi që të shitet këtë verë. Braziliani e kishte qëllim të mos kthehej gare në Paris më. Ai shpresonte se negociatat mes Barcelonës dhe PSG-së do të përfundonin shpejt dhe ai do t’i bashkohej ish-bashkëlojtarëve të tij në Camp Nou javën tjetër, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, situata e Neymarit është e komplikuar dhe dy klubet – Barcelona dhe PSG-ja – mund të mos arrijnë fare marrëveshje as edhe në fund të këtij muaji. Për këtë arsye Barcelona i ka kërkuar Neymarit të kthehet në Paris dhe t’i fillojë stërvitjet parasezonale me klubin e tij aktual, nëse PSG-ja ia kërkon një gjë të tillë.

Ekipi i Neymarit ka qenë mjaft i heshtur gjatë kësaj vere. Babai i tij foli vetëm për të treguar se nuk ishte nisur për në Barcelonë për të zhvilluar negociata me klubin katalonas.

Edhe Barcelona, edhe Neymari e duan këtë transferim këtë verë dhe për këtë arsye të dy palët po bëjnë gjithçka që është e mundur për të mos i prishur edhe më shumë marrëdhëniet mes dy klubeve.

PSG-ja është e lodhur nga sjellja dhe stili i jetesës së Neymarit, mirëpo do ta detyronin atë të qëndronte në skuadër nëse situata tensionohet, ashtu siç bënë edhe me Adrien Rabiotin, kur ky i fundit tha se nuk do ta rinovojë kontratën me klubin.

Ylli brazilian është ende në pushime në vendlindje të tij dhe ai do të qëndrojë për ta shikuar Brazilin në finale të Kupës së Amerikës. Mirëpo, nëse Barcelona nuk arrin marrëveshje me PSG-në, klubi francez ka të drejtë ta ftojë atë për t’iu bashkuar skuadrës në stërvitje përgatitëse për sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi brazilian ka sugjeruar se mund ta bëjë publike dëshirën e tij për t’u larguar nga PSG-ja, por Barcelona shpreson se nëse Neymari e bën një gjë të tillë, do të tregohet i sjellshëm dhe nuk do t’i zemërojë drejtuesit e PSG-së.