Shefja e diplomacisë gjermane, Analena Baerbock, sot nga Berlini ka përmendur disa reforma që sipas saj duhet të ndodhin në procesin e anëtarësimit në BE dhe rreth asaj se si funksionojnë institucionet e BE-së.

Ajo ka propozuar ndryshimin e rregullit të “unanimitetit”, i cili i lejon një vendi të vetëm anëtar mundësinë për të vënë veton ndaj nismave të BE-së në raste të caktuara, duke përfshirë në fusha shumë të ndjeshme si taksat dhe politika e jashtme.

Këto deklarata të saj vijnë derisa debati rreth zgjerimit të BE-së me pranimin e vendeve si Ukraina dhe atyre të Ballkanit Perëndimor po nxehet në prag të një samiti kyç të liderëve të BE-së në dhjetor, shkruan Policito.

“Është një situatë që ndodh një herë në jetë për ne,” ka deklaruar Baerbock, duke vënë në dukje oreksin e ripërtërirë për zgjerim midis vendeve anëtare, që kur presidenti rus Vladimir Putin nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë të Ukrainës.

Baerbock gjithashtu ka dhënë një propozim që vendet të cilat janë në proces të anëtarësimit të mund të lejohen të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit përpara se të bëhen anëtarë të plotë.

“Ne duhet të sigurohemi që njerëzit e këtyre vendeve, veçanërisht të rinjtë, të kenë një mundësi për të marrë pjesë në avantazhet e Bashkimit Evropian në një fazë të hershme, madje edhe para se vendi i tyre të bëhet anëtar i plotë”, ka potencuar Baerbock.