Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoninë, Mihalis Rokas sot do të vizitojë Velesin, në kuadër të serisë së vizitave komunale përmes të cilave qytetarët dhe institucionet kanë mundësi të njihen me përfitimit e procesit të anëtarësimit në BE.

Siç theksohet në kumtesën nga Zyra e BE-së në Shkup, me këto vizita theksohet rëndësia e integrimit dhe kontributin e tij në zhvillimin e komuniteteve lokale.

Gjatë vizitës Rokas do të takohet me kryetarin e komunës së Velesit, Marko Kolev dhe do të bisedojë edhe me anëtarët e Këshillit të komunës.

Më vonë, Ambasadori i BE-së do të vizitojë projektet e financuara nga BE-ja që kontribuojnë në pozicionimin më të mirë të rajonit të verës së Vardarit në hartën turistike për shkak të trashëgimisë së tij të pasur kulturore dhe gastronomisë. Rokas do të takohet me individë nga profesione të ndryshme që përfaqësojnë komunitetin lokal në Veles dhe që mbulojnë një gamë të gjerë aftësish, nga ato sociale, artistike deri te promovimi i turizmit.

Vizita do të përfundojë me një takim me të rinjtë në Jurop Haus, “vendi i brezit të ri” në Veles. Ambasadori Rokas do të flasë me anëtarët e sapozgjedhur të këshillit rinor lokal, përfaqësuesit e Qendrës rinore Veles dhe Ambasadorët e rinj evropianë nga Velesi.