Pas postimeve në rrjetin social Facebook se, gjoja, Alternativa – Dega Butel ka vendosur ta mbështesë në zgjedhje lokale kryetarin e deritanishëm të Komunës së Butelit, Velimir Smilevski, jemi të detyruar ta informojmë opinionin se njoftimet zyrtare të degës së Alternativës në Butel botohen vetëm në këtë profil dhe vetëm ato janë qëndrim zyrtar.
Ne nuk ia ndalojmë askujt që të takohet dhe të fotografohet me kë të dojë dhe të merret vesh për çfarë të dojë, por Alternativa – Dega e Butelit dhe kryetari i saj, Samir Iseni, as nuk janë takuar me Velimir Smilevskin e as që i kanë shprehur mbështetje përmes dikujt tjetër.
Ashtu siç është i informuar opinioni, ne në këto zgjedhje jemi në koalicion me Aleancën për Shqiptarët dhe kemi marrëveshje për mbështetje të ndërsjellë me disa parti të tjera, varësisht nga komuna ku zhvillohet gara. Po ashtu ne, si koalicion, e mbështesim kandidaturën e pavarur të Danella Arsovskës për Qytetin e Shkupit dhe ajo që tashmë është e sigurt dhe për çka jemi të bindur është se Velimir Smilevski nuk e gëzon mbështetjen tonë. Mashtrimet që i ka bërë ai gjatë këtij mandati dhe premtimet e papërmbushura që ua ka dhënë banorëve të Butelit, e veçmas atyre të f. Luboten dhe atyre të lagjes Vizbeg, janë arsye e mjaftueshme që ne të jemi të sigurt se ai nuk e meriton edhe një mandat.
Duke e njoftuar opinionin se vendimet e Degës së Alternativës në Butel merren në Kryesinë dhe në Kuvendin e Degës së Butelit, u bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve dhe simpatizuesve të koalicionit AlternAtivA & Aleanca për Shqiptarët që të jenë të qetë, sepse asnjë foto personale nuk e lëkund synimin tonë për fitore në Butel.