Etja është një mënyrë e trupit për të treguar, që uji në organizëm po ju mbaron. Është shumë normale të ndiheni të etur sidomos kur është moti i nxehtë apo keni ushtruar ndonjë aktivitet fizik.

Mirëpo nëse vazhdoni të keni nevojë për ujë vazhdimisht edhe pse keni pirë mjaftueshëm, atëherë kjo mund të jetë një shenjë e ndonjë problemi shëndetësor.

Dehidrimi

Dehidrimi do të thotë, që trupi juaj nuk ka mjaftueshëm ujë për të kryer aktivitetet dhe proceset normale në organizëm. Dehidrimi ndodhe për shumë arsye disa prej të cilave janë: aktiviteti fizik, diarreja, vjellja apo djersitja e tepërt. Disa nga shenjat e tjera të dehidrimit janë: urina me ngjyrë të mbyllur, goja e thatë, lëkura e thatë, dhimbje koke.

Diabeti

Etja e tepërt, që doktorët e quajnë polidipsi, mund të jetë gjithashtu një simptomë e diabetit. Mungesa e insulinës, rrit sasinë e sheqerit në gjak gjë që sjellë etjen e tepërt.

Goja e thatë

Kur e keni gojën e thatë gati gjatë gjithë kohës ju do të keni nevojë të konsumoni shumë ujë. Kjo për shkak se gjëndrat në gojë janë duke prodhuar më pak pështymë. Kjo shenjë shoqërohet edhe me simptoma të tjera siç janë: aroma e keqe e gojës, ndryshim i shijes, vështirësi në përtypje.

Anemia

Anemia është një sëmundje që shkaktohet nga numri i vogël i eritrociteve në gjak. Disa nga shenjat e anemisë janë edhe etja e tepërt, lodhja dhe djersitja.