Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski dhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrel, dje në Bruksel nënshkruan Marrëveshjen e partneritetit të sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes, Mucunski theksoi se kjo paraqet një kthesë historike në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian.

“Mund të njoftoj me krenari se jemi vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që nënshkruajmë një partneritet sigurie dhe mbrojtjeje. Është korniza jonë e re e fuqishme për dialog dhe bashkëpunim për çështje kritike të sigurisë dhe koncepti i këtij partneriteti simbolizon angazhimin tonë të përbashkët për ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë dhe më gjerë”, tha Mucunski.

Sipas tij, ky partneritet thekson lidhjet e forta mes RM-së dhe Bashkimit Evropian, të ndërtuara mbi vlerat e përbashkëta të besimit dhe një vizioni të përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë.

Borel nga ana e tij theksoi se ky partneritet shënon një pikë kthese në bashkëpunimin strategjik të BE-së jo vetëm me Maqedoninë, por edhe me të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Ky nuk është thjesht një dekorim, por një hap i prekshëm përpara drejt një Evrope më të sigurt dhe më të integruar, dhe këto ditë ne e dimë se çfarë do të thotë një Evropë më e sigurt. Kjo marrëveshje thekson përkushtimin tonë të përbashkët për avancimin e bashkëpunimit dhe lëvizjen e dyerve për integrimin gradual të Maqedonisë edhe para anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ne e quajmë integrim gradual hap pas hapi”, tha Borrell.

Ai rikujtoi se vendi është plotësisht në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, e cila, siç e cilësoi, është një demonstrim i fortë i përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta dhe të ardhmes së përbashkët evropiane.

Marrëveshja e partneritetit midis RM-së dhe BE-së pritet të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë dhe do të mundësojë trajtimin e përbashkët të sfidave të sigurisë, si kërcënimet hibride, forcimi i sigurisë kibernetike, lufta kundër terrorizmit dhe aspektet e jashtme të menaxhimit të integruar të kufijve, zbatimi i misioneve dhe operacioneve dhe bashkëpunim më efektiv në fusha të tjera të sferës së sigurisë dhe mbrojtjes.

Maqedonia është vendi i parë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që ka krijuar një partneritet të tillë me BE-në. Në periudhën e ardhshme, BE-ja pritet të nënshkruajë një marrëveshje të tillë me Shqipërinë, pasi më parë ka lidhur marrëveshje të ngjashme me Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë, Norvegjinë dhe Moldavinë, si instrumente që konfirmojnë më tej angazhimin e BE-së për forcimin e arkitekturës evropiane të sigurisë.