Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi mbrëmë konfirmoi se kjo parti nuk është më pjesë e koalicionit Fronti Evropian.

“100 ditë janë pak për të analizuar drejt punën e një qeverie. Arsyeja se përse nuk kam qenë në konferencën për shtyp të Frontit (Evropian) është se unë dhe PDSH-ja nuk do të jemi më pjesë e Fronti ”, tha Thaçi në Klan Maqedoni.

Thaçi nuk tregoi arsyet e largimit të tij nga ky koalicion, ndërsa mes tjerash tha se nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë.

Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami lidhur me hyrjen e mundshme të Thaçit në qeveri tha se “nuk kam komente dhe nuk besoj se do të bëhet pjesë e Qeverisë”.

Ndryshe, Fronti Evropian u krijua para zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë. Ky koalicion udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe përbëhet nga Aleanca për Shqiptarët (Ziadin Sela), Lëvizja Populli, Partia Demokratike Europiane, Partia Demokratike Turke Unioni i Romëve, Lëvizja e Turqve të Maqedonisë për Drejtësi dhe Demokraci, Unioni Demokratik Boshnjak).

Zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 8 maj, VMRO-DPMNE fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian 19, LSDM 18, VLEN 13, E Majta 6 dhe ZNAM 6. Mirëpo, pas rivotimit me 22 maj në shtatë vendvotime për shkak të parregullsive gjatë votimit të 8 majit, koalicioni VLEN fitoi një deputet më tepër, duke i bërë 14 deputetë, ndërsa Fronti Evropian humbi një deputet, i cili shkoi për VLENIN.

Qeveria aktuale e Maqedonisë u votua nga deputetët më 23 qershor të këtij viti në krye me kryeministrin Hristijan Mickoski. Kjo Qeveri përbëhet nga VMRO-DPMNE-ja me partnerët koalicionues – koalicionin VLEN dhe partinë ZNAM.