Incidenti diplomatik i ndodhur presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit me 2 Gusht ka qenë çështja që ka dominuar takimin mes kryeministrave të Kosovës, Albin Kurti dhe të Maqedonisë, Hristjan Mickoski. Në konferencën për median dy kryeministrat mbajtën qëndrim pajtues mbi këtë ngjarje.

“Autoritetet e Maqedonisë, krerët e shteti këtu kanë shprehur keqardhje për rastin. Do të ketë raport zyrtar që do ta zbardhë këtë çështje, dhe ta kuptojmë se çfarë ka ndodhur dhe mos të përsëritet kurrë më një situatë e tillë”, tha Albin Kurti.

“Presidentja e Kosovës është e mirëseardhur si dhe qytetarët e Kosovës, dhe herën e ardhshme kur marrë informatën në kohë do të kem kënaqësi ta pres si mysafire që t’u shmangemi këtyre incidenteve dhe veçanërisht sjelljeve te individëve, qe është problemi i yni i brendshëm, që do ta zgjidhim brenda shtetit tonë”, tha Mickoski.

Incidenti i ndodhur ndaj Osmani nxorri në drite qëndrimet e ndryshme mes presidentes dhe kryeministrit Kurtit. Teksa Osmani e cilësoi incidentin përveçse si një provokim i pastër dhe tendencë për të shkaktuar incident, Kurti e mohoi.

“Nuk e di që kemi pasur si institucione të Republikës qëndrim të tillë (se ishte provokim). Mund ta këtë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo institucionet e Republikës. MPJD e ka dhënë deklaratën saj, që paraqet qëndrimin e Qeverisë, gjithashtu edhe qëndrim edhe MPJ- e Maqedonisë e kemi parë. Besoj që duhet ta synojmë të vërtete dhe kuruese tensionimin”, tha Kurti.

Kjo është hera parë që Kurti prononcohet për incidentin e rëndë, pasi qëndrimi i vetëm i qeverisë erdhi vetëm nga Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, e cila paraqiti dhe notë proteste ndaj Maqedonisë.