Drejtori i FBI-së Christopher Wray u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se institucioni i tij “do të bëjë të gjitha përpjekjet” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi dështimin e autoriteteve për të parandaluar atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.
“Prej kohësh kam thënë se jetojmë në një ambient me kërcënime të shtuara. Dhe atentati ishte një shembull tragjik dhe veçanërisht i neveritshëm i një ambjenti të tillë”, tha drejtori Wray në dëshminë e tij. “Do të bëjmë çmos. Vrasësi ka vdekur, por hetimet e FBI-së po vazhdojnë.”
Drejtori Wray, po dëshmon në një seancë në Kongres mbi hetimin e byrosë lidhur me atentatin ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ligjvënësit pritet t’i kërkojnë atij detaje të reja mbi motivin dhe të kaluarën e autorit të sulmit.
Seanca në Komisionin Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve është hera e parë që zoti Wray flet në detaje mbi ngjarjen, ndërsa agjentët vazhdojnë të kryejnë hetime mbi 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks.
Por seanca mbi atentatin ndaj zotit Trump duket se do të mbahet nën hijen e përçarjeve partiake brenda komisionit.
Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësi republikan Jim Jordan tha se ai pret që drejtori Wray t’u përgjigjet pyetjeve rreth ngjarjeve që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas incidentit, por shprehu dyshimet se do të marrë përgjigje edhe para se të fillonin pyetjet.
“Jam i sigurt se e kuptoni që një pjesë e konsiderueshme e vendit është skeptike rreth aftësisë së FBI-së për të zhvilluar një hetim të drejtë, të sinqertë, të hapur dhe transparent,” deklaroi ai.
Ligjvënësi demokrat Jerrold Nadler e dënoi sulmin ndaj ish Presidentit Trump “pa mëdyshje dhe me forcë” , por në komentet e tij vuri theksin tek kërcënimet dhe dhuna politike ndër vite si dhe tek retorika e dhunshme, siç tha ai, nga ana e republikanëve, përfshirë nga vetë zoti Trump.
“Nëse mendoni që ky plumb i atentatorit ishte i befasishëm dhe jo pjesë e një vale të dhunës që po kërcënon vendin tonë me vite, atëherë nuk e keni kuptuar thelbin,” deklaroi ai.
Atentati ishte përpjekja më e rëndë për të vrarë një president apo kandidat presidencial në Shtetet e Bashkuara, që kur u sulmua presidenti Ronald Reagan në vitin 1981.
Seanca ishte planifikuar shumë përpara sulmit ndaj ish-Presidentit Trump më 13 korrik, në kuadër të mbikëqyrjes rutinë mbi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë nga Komisioni, por pyetjet rreth atentatit po dominojnë.
Megjithëse FBI nuk është vënë në shënjestër me të njëjtin intensitet sa Shërbimi Sekret lidhur me dështimet e masave të sigurisë për mbrojtjen e ish-Presidentit Trump, ligjvënësit ka të ngjarë të bëjnë pyetje të shumta lidhur me vlerësimin e FBI-së se Crooks nuk la pas ndonjë motiv të dukshëm ideologjik për veprimet e tij.
Të martën pas kritikave të ashpra si nga republikanët ashtu edhe demokratët, drejtorja e Shërbimit Sekret Kimberly Cheatle dha dorëheqjen.
FBI ka thënë se po e heton ngjarjen në Batlër të Pensilvanisë, nga e cila gjeti vdekjen një pjesëmarrës në tubim dhe dy të tjerë u plagosën rëndë, si një akt terrorizmi të brendshëm dhe tentativë për vrasje.
Zoti Wray dhe zyrtarë të tjerë të lartë informuan privatisht anëtarët e Kongresit javën e kaluar, duke u thënë se Crooks kishte në telefonin e tij fotografi të ish-Presidentit Trump dhe Presidentit Joe Biden, si edhe zyrtarëve të tjerë. Ai kishte kërkuar gjithashtu në internet datat e Kuvendit Kombëtar Demokrat si edhe të aktiviteteve të fushatës së zotit Trump.
Një zyrtar i zbatimit të ligjit tha për Associated Press javën e kaluar se Crooks kishte lëshuar gjithashtu një dron mbi vendin e tubimit përpara sulmit, mesa duket në një përpjekje për të krijuar një ide për skenën.
Comments are closed for this post.