Pas miratimit të Ligjit për lojërat e fatit kanë reaguar nga Lidhja Europiane për Ndryshim. Ata thonë se është ironike që zv/kryeministri Artan Grubi tenton ta paraqesë krimin e bizneseve të kazinove si triumf politik të BDI-së.
“Nuk ka turp më të madh për Ali Ahmetin kur hyrja e nëntokës mafioze serbe në RMV përmes online lojërave të fatit në internet falë kurbanit Përparim Bajrami, paraqitet si arritje kulminante politike. BDI ka prekur fundin, nga një parti që luftonte për të drejtat e popullit shqiptar u transformua në një shpërlarëse parash të pista. Populli shqiptar e di se distanca prej 500 metrash nga institucionet arsimore është vetëm një hudhje hi syve për të fshehur dispozitat ligjore që duhet t’i mundësojnë Grubit të mbushë xhepat me para publike. Artan Grubi në 4 vitet e fundit ka shpenzuar 40 milionë euro për pajisjet VLT. Vetëm një ditë para formimit të Qeverisë Teknike, ai bleu pajisje VLT për 12 milionë euro. Në vend të librave për nxënësit, shkollave, klinikave, spitaleve, sallave sportive dhe objekteve tjera strategjike, paratë u shpenzuan për helmimin e fëmijëve dhe të rinjve tanë”, thuhet në reagimin e LEN-it.
Ata shtojnë se Artan Grubi do të mbahet mend që me nënshkrimin e tij janë hapur tre kompani të lojërave të fatit online në internet.
“Të rinjtë përmes celularëve bëhen viktima potenciale të lakmisë për para të kompanive të kazinove që janë partnere me BDI-në. Për të gjitha këto mëkate do të pasojë përgjegjësia politike dhe penale. Lidhja Europiane për Ndryshim pas 8 majit do të miratojë një ligj të ri që do të mbyllë të gjitha format e lojërave të fatit”, thuhet mes tjerash në reagimin e LEN-it.
Comments are closed for this post.