Qeveria gjermane kërkon të mbështesë integrimin më të shpejtë të emigrantëve në tregun gjerman të punës. Agjencia Federale e Punës dhe e ngarkuara për Integrimin, Widmann-Mauz nënshkruan një marrëveshje.
Integrim përmes punës. Qeveria gjermane kërkon të çojë përpara punësimin e emigrantëve në Gjermani.
Të hënën (28.01) e ngarkuara e qeverisë gjermane për Integrimin, Annete Widmann-Mauz (CDU) nënshkroi bashkë me Agjencinë Federale të Punës një marrëveshje bashkëpunimi në Berlin.
Me këtë marrëveshje synojmë të “çojmë përpara me intensitet e të bashkuar integrimin përmes punës”, tha politikanja gjermane.
Sipas saj një bashkëpunim që synohet të jetë i vazhdueshëm do të synojë të përmirësojë shanset e migrantëve në tregun e punës dhe të reduktojë rreziqet e diskriminimit. Mbështetje do të ofrohet sidomos në momentin e kalimit nga shkolla në jetën e punës.
“Puna është çelës i integrimit dhe ndihmon që të zësh vend në shoqëri”, tha Widmann-Mauz.
Ndërsa kreu i Agjencisë Federale të Punës, Scheele theksoi, se suksesi ekonomik i Gjermanisë varet edhe nëse “ia dalim të përdorim si duhet të gjithë potencialin e fuqisë punëtore në vend”.
Emigrantët e rinj dhe prindërit e tyre duhet të informohen sa më mirë e të konsultohen në rrugën nga shkolla drejt profesionit.
Comments are closed for this post.