Presidentit i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama, deputetë, përfaqësues të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë Monumentit “Nëna Shqipëri”.
“Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri. Nderim përjetë atyre që me guximin, trimërinë dhe sakrificën sublime na dhuruan lirinë”, ka shkruar në rrjetet sociale Presidenti Begaj.
Kryeparlamentarja Nikolla, në mesazhin e saj të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit të Shqipërisë, thekson se “29 Nëntori, Dita e Çlirimit, është kurorëzimi i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar”.
“Çlirimi i Shqipërisë është një vepër monumentale e partizanëve shqiptarë, të mbështetur nga populli, të cilët në Luftën e Dytë Botërore e vendosën Shqipërinë në anën e duhur të historisë”, thekson Nikolla.
“Bashkë me urimin për festën e madhe të çlirimit, ju uroj të gjithëve një ditë të paqtë”, ka shkruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale.
Kujtojmë që prej 7 prillit 1939, Shqipëria gjendej nën vargonjtë e pushtimit fashist. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në dalje të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, u çliruan edhe një pjesë e konsiderueshme e qyteteve në veri. Çlirimi i Shkodrës shënoi edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.
29 Nëntori në Shqipëri shënohet si festë zyrtare dhe me rastin e përvjetorit të çlirimit të vendit, aktivitete dhe ceremoni përkujtimore në nderim të dëshmorëve janë organizuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.
Comments are closed for this post.