Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj ka konfirmuar se gjatë vitit të ardhshëm do të rritet prezenca e pjesëtarëve të Ushtrisë së Shqipërisë në Kosovës në kuadër të KFOR-it.
Ambasadori Malaj këto detaje i dha pas takimit me komandantin e KFOR-it, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas, me të cilin biseduan për situatën e sigurisë në Kosovë.
“Gjeneralmajor Ulutas falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i jep KFOR-it. I konfirmova se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë KFOR, pasi vendi ynë e ka Kosovën në prioritetin më të lartë. Po kështu, kjo mbështetje do të vijojë pasi në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e saj” – ka shkruar Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
“Gjithashtu, i bëra të ditur se rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është ajo e dialogut”- ka shkruar tutje ambasadori Malaj.
Në shkurt të vitit të kaluar, Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë kishte njoftuar për shtimin e prezencës së trupave të saj ushtarake në Kosovë në kuadër të KFOR-it.
Comments are closed for this post.