Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka nënshkruar një ligj për tërheqjen e ratifikimit të Traktatit Gjithëpërfshirës për Ndalimin e Testeve Bërthamore (CTBT), sipas uebsajtit të Qeverisë ruse, raporton REL. Ky vendim, i cili vjen në një kohë kur tensionet me Perëndimin janë shumë të larta, ishte nismë e Putinit muajin e kaluar, i cili tha se do ta “pasqyrojë” pozitën e Shteteve të Bashkuara.
Shtetet e Bashkuara janë në mesin e pesë vendeve që e kanë nënshkruar por s’e kanë ratifikuar kurrë paktin e 1996-ës.
Traktati, i cili ndalon testimet që përfshijnë eksplozivë bërthamorë, i ka bërë tabu testimet e tilla. Vetëm Koreja e Veriut ka kryer testime të tilla këtë shekull, më së voni në shtator 2017.
Perëndimi e ka akuzuar Rusinë se po e përdor një retorikë të pakujdesshme bërthamore prej se e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Projektligji për tërheqjen e ratifikimit të CTBT-së u miratua nga Parlamenti i Rusisë muajin e kaluar përmes një procesi të përshpejtuar.
Putini tha muajin e kaluar se “nuk ishte i gatshëm” të thoshte nëse Rusia do të kryente testime bërthamore.
Rusia thotë se nuk po planifikon të kryejë ndonjë test dhe se nuk do ta bëjë atë nëse SHBA-ja nuk e bën. Por, disa analistë thonë se një test i Rusisë është më i mundshëm tani.
Putin ka bërë kërcënime bërthamore – siç i vlerëson Perëndimi – prej se ka nisur luftën në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Ai mund t’i mbajë testet si rezervë për ta paralajmëruar Perëndimin që të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën. Publikisht, ai nuk ka thënë nëse mendon se nevojitet një test i tillë ose jo.
Comments are closed for this post.