Propozimi i Ali Ahmetit është joserioz në një moment kaq serioz kur bëhet fjalë për integrimet evropiane dhe për momentin nuk do të shqyrtohet në organet partiake, deklaroi sot kryetari i partisë politike Aleanca për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari.
Në pyetjen e gazetarëve nëse ASH-ja do të largohet nga koalicioni qeveritar pas thirrjes së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti që ta ndjekin shembullin e tyre me të cilin ministrat nga partia e tij dhanë dorëheqje nga funksionet, të cilat do të bëhen efektive pasi VMRO-DPMNE-ja opozitare do të votojë për ndryshimet kushtetuese, kryetari i Gostivarit dhe lideri i ASH-së theksoi se bëhetë fjalë për Pi-Ar trik.
“Kjo është periudhë shumë serioze për propozime kaq joserioze. Mendoj se zotëri Ahmeti nuk mendon ashtu dhe më duket si Pi-Ar trik. Në këtë periudhë duhet të mendojmë me maturi dhe seriozitet kur bëhet fjalë për integrtimet evropiane. Në Aleancën për Shqipëtarët as nuk mendohet në drejtim të propozimit të Ahmetit”, tha Taravari.
Nëse krijohet një situatë që të merret një vendim në këtë drejtim, atëherë, theksoi Taravari, do të diskutohet në organet e partisë dhe në konsultim me anëtarësinë dhe qytetarët.
Në lidhje me grupimet në bllokun politik shqiptar dhe mundësisë për koalicionim me opozitën, Taravari theksoi se për momentin nuk do të largohet nga koalicioni qeveritar.
“Aleanca për Shqiptarët është pjesë e qeverisë dhe i bën analizat për zgjedhjet e ardhshme. Për momentin nuk ka njoftime për koalicionime, ndërsa duke pasur parasysh atë që e kaluam më parë, më së miri do të jetë të shkojmë në zgjedhje vetë”, nënvizoi lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari.
Comments are closed for this post.