Më shumë se gjysma e liqeneve të botës po humbasin ujë, kryesisht për shkak të ngrohjes globale, sipas një studimi të ri të botuar së fundmi në revistën “Science”. Mbështetur në studimet e shkencëtarëve, tharja është shkaktuar kryesisht nga ngrohja globale dhe aktivitetet njerëzore.
Autorët zbuluan gjithashtu se si mund të reduktohet humbja e ujit. Liqenet dhe digat natyrore ruajnë rreth 87% të ujërave të ëmbla të Tokës, megjithëse mbulojnë vetëm 3% të sipërfaqes së planetit.
“Në shumë raste këto rezervuarë uji janë nën kërcënim”, thuhet në hulumtimin e realizuar. Spanja raportoi kohët e fundit se niveli i rezervuarëve në rajonin verilindor të Katalonjës arrin rreth 26% pas disa muajsh thatësire. Në Itali, nivelet jashtëzakonisht të ulëta të ujit u regjistruan kohët e fundit në liqenin Garda, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, niveli i ujit është 50% më i ulët.
Vitet e fundit, studimet kanë treguar se vëllimi i liqeneve po zvogëlohet në mbarë botën, me ndryshimin e klimës që përmendet vazhdimisht si një faktor kryesor. Aktivitetet njerëzore si menaxhimi i rezervuarëve, tërheqja e ujit dhe ndryshimet e përdorimit të tokës mund të luajnë gjithashtu një rol.
Ekipi hulumtues, i udhëhequr nga hidrologu, Fangfang Yao i Universitetit të Kolorados, përdori një teknikë për matjen e ndryshimit të niveleve të ujit në 2.000 liqenet dhe digat më të mëdha në botë, të cilat së bashku përbëjnë rreth 90% të ujit të ëmbël të ruajtur në liqene. Raporti bazohet në të dhënat e imazheve satelitore të mbledhura midis viteve 1992 dhe 2020.
Comments are closed for this post.