Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, në seancën e fundit parlamentare për pyetjet e deputetëve për këtë vit, u pyet për deklaratën e tij të mëparshme ku tha se Maqedonia është ndër vendet më të sigurta, kursa MPB ndër institucionet më transparente.

Spasovski gjatë përgjigjes iu referua të dhënave nga Indeksi Global i Paqes, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Republika e Maqedonisë së Veriut është më e sigurta nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me kërcim prej 67 vendesh në vitin 2017 dhe katër pozita më të larta se vitin e kaluar. Ose, sipas Indeksit Global të Paqes (GPI), këtë vit jemi ndër 36 vendet më të sigurta në botë. Duke vlerësuar disa aspekte të paqes, duke përfshirë sigurimin social, Indeksi Global i Paqes është një mjet i dobishëm për të analizuar se sa larg kemi arritur në përpjekjet tona”, theksoi ministri Spasovski.

Ndërsa sa i përket transparencës, ministri Spasovski theksoi se sipas rezultateve të organizatave që merren me të drejtat demokratike, lirinë e mediave dhe transparencën e institucioneve, MPB konsiderohet si një nga institucionet më transparente në vend dhe në rajon.

“Transparenca aktive e Ministrisë së Punëve të Brendshme nga mesatarja 59,5% në 2016, në vitin 2022 është 91,7%, që paraqet kërcim prej 32,2%, duke kaluar tre nivele – nga një institucion jashtëzakonisht i mbyllur në një me transparencë aktive shumë të mirë. Indeksi i hapjes së MPB-së flet për përmbushje 76,10% të treguesve të hapjes. E gjithë kjo, por edhe marrëdhënia dhe bashkëpunimi i përditshëm me median, na motivon që të vazhdojmë të krijojmë një institucion të hapur, të përgjegjshëm dhe transparent përpara qytetarëve”, tha Spasovski.