Me vendimin e fundit për çështjen “Target-Fortesa”, sistemi gjyqësor ka treguar se tashmë është në gjendje të vështirë dhe duhen marrë urgjentisht masat e nevojshme për rehabilitimin e tij, kështu reagoi Këshilli i Ambasadorëve, për 360 Gradë.

Siç thuhet në reagim, Këshilli vlerëson se sistemi gjyqësor është nën ndikimin e strukturave të ndryshme të brendshme dhe të jashtme që krijojnë sistem mosndëshkimi për strukturat e ndryshme të fuqishme ekonomike dhe politike të shtetit dhe në këtë mënyrë stimulojnë drejtësinë selektive.

“Këshilli i Ambasadorëve beson se Këshilli Gjyqësor, si institucioni më i rëndësishëm gjyqësor për vlerësimin e punës së gjyqtarëve, do të analizojë në detaje situatat në sjelljen individuale dhe grupore të gjyqtarëve në raste individuale që publiku i percepton si problematike dhe do të sjellë vendimet e drejta. Ne besojmë se zhvillimet e fundit në gjyqësor dhe në përgjithësi në punën e sistemit të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut mund të dëmtojnë realizimin me sukses të shqyrtimit dhe zhvillimin e mëtejshëm të negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian”, thonë nga Këshilli i Ambasadorëve.

Këshilli theksoi se është koha për të kuptuar nevojën e reformave në drejtësi dhe zbatimin e tyre konsekuent nga të gjitha institucionet shtetërore dhe në radhë të parë nga më të thirrurit: prokurorët, avokatët, gjyqtarët, deputetët, ministrat, deri në zyrtarët më të lartë të shtetit.

Kujtojmë që për këtë rast kritika ka pasur nga aktorë të ndryshëm politik, ish kryeministri Zoran Zaev, presidenti Stevo Pendarovski, kryetarja e këshillit gjyqësor, kreu i Aleancës për Shqiptarët Arben Taravari dhe të tjerë

Gjykata e Apelit të premten (17 dhjetor) ka miratuar vendim skandaloz me të cilin e ka shfuqizuar aktgjykimin për rastin “Target-Fortesa”, i cili ka të bëjë me përgjimet masive të paligjshme të mijëra qytetarëve të RMV-së në periudhën 2008-2015, në të cilin ish shefi i Shërbimit Sekret, Sasho Mijallkov ishte i dënuar me 12 vjet burg. Para dy javëve Apeli shpëtoi Mijallkovin edhe nga 8 vjet burg nga një rast tjetër.

Rikthimi nga e para e lëndës “Target-Fortesa” hapë mundësi reale që Mijallkov dhe të akuzuarit tjerë të shpëtojë nga përndjekja penale për përgjimet masive, për çka u formua dhe Prokuroria Speciale Publike, pasi që në fillim të vitit 2025, apo për dy vite, veprat penale vjetërsohen.

Ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijalkov, është dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 12 vjet burg për veprat penale “bashkim kriminal”, “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” dhe “marrje e shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm”. Ndërkaq, ish-ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankulloska, është dënuar me katër vjet burg për veprën penale “keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar”.

Ndryshe, ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov, më 29 dhjetor vitin e kaluar u lirua nga paraburgimi pasi gjykata ka pranuar garancinë e ofruar prej 11 milionë euro.