Brutaliteti me të cilin ushtrohej dhunë ndaj një të moshuare kosovare në Shtëpinë për të Moshuar “Orenda” ku ajo ishte dërguar për përkujdesje, alarmoi shoqërinë tonë.

LEXO EDHE:
Vetaksidenti i rëndë në Vushtrri, 17 vjeçari që vdiq kishte publikuar pamje duke vozitur 230 km në orë, pak ditë para tragjedisë
Infermierja Aurona Pelaj, shihet duke goditur në mënyrë të pamëshirshme të moshuarën që ishte shtrirë në këtë qendër, ndërkohë që tri infermiere të tjera e suportonin duke qeshur.

Pelaj bashkë me tri inferimeret e tjera janë vënë në pranga të Policisë, pak kohë pas publikimit të videos në rrjetet sociale.

Vajza e së moshuarës, e cila u keqtrajtua u shpreh e tronditur nga dhuna e ushtruar ndaj nënën së saj. Ajo tha se edhe para 4-5 ditësh ka parë shenja dhune tek e ëma.

Aurona Pelaj, e dyshuara kryesore e cila shihet në video derisa e godet gruan e moshuar, në polici ka deklaruar se ka qenë duke u vetëmbrojtur.

Nedërkaq, Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar “Orenda” në Pejë, para gazetarëve është shprehur i shqetësuar dhe ka kërkuar falje për pamjet e rënda të rastit që ka ndodhur në këtë qendër.

Ai thotë se kanë vendosur të investojnë në vendlindje që të kenë mundësi më shumë qytetarë për vende pune, por që sipas tij ky rast tashmë i ka lënë të befasuar duke pasur parasysh se bëhet fjalë për kujdesin që duhet treguar ndaj prindërve të familjarëve.

Të tronditur u shprehën edhe krerët e shtetit e spektri politik në vend.

Kryeministri Kurti i ka quajtur të tmerrshme pamjet e publikuara, derisa ka thënë se institucionet kanë vepruar menjëherë.

“Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s’është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuaren, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar. Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndenjën dhe përkujdesjen qytetare”, ka shkruar Kurti.

Nga Presidenca e Kosovës reaguan duke thënë se dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet, por se të bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë.

“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit”, u tha në reagim.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar që të sillen para drejtësisë të gjithë personat e implikuar në këtë sulm.

“Me shqetësim kemi parë të gjithë pamjet e keqtrajtimit të një gruaje të moshuar nga një grup vajzash, në një shtëpi të përkujdesjes së të moshuarve në Pejë. Veprime të tilla të dhunës janë të papranueshme kudo që ndodhin, por në veçanti janë më të rënda kur ndodhin brenda institucioneve që konsiderohen të ofrojnë ndihmë dhe përkujdesje.

“Fuqishëm bëj thirrje për sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë akt çnjerëzor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri bëri të ditur se Komuna e Pejës nuk menaxhon me asnjë institucion i cili ofron këso shërbimesh.

I shokuar dhe i tronditur u shpreh edhe kreu i LDK-së, Lumir Abixhiku dhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.

Abdixhiku tha se ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ndërkaq kreu i PDK-së, Memli Krasniqi tha se ky rast dëshmon edhe paaftësinë e institucioneve për t’i monitoruar qendrat e kujdesit për të moshuar.

“Dhuna ndaj një gruaje të moshuar nga personeli që do të duhej të kujdesej për të, tregon problemet e thella që ka shoqëria jonë. Për më shumë, dhembja është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për keqtrajtimin e një nëne të dëshmorit të lirisë. Por, fatkeqësisht, këtu vihet në pah edhe paaftësia institucionale për të monitoruar institucionet e kujdesit për të moshuarit në mbarëvajtjen e punës”, shkroi ai në Facebook.

Rasti “Orenda”, sot intervistohen personeli dhe të moshuarit

I gjithë stafi dhe banorët e kësaj qendre, pritet të intervistohen sot nga zyrtarët policorë.

Kështu ka deklaruar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

Ai deklaroi se Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty.

“Nesër me autorizimin e Prokurorisë së Shtetit, Policia e Kosovës do të intervistojë të gjithë personat që janë personel në këtë strehimore dhe të gjithë të moshuarit që janë të vendosur aty. Besoj që nga këto raste do të pranojmë informata, varësisht çka deklarojnë. Gjatë rrugës që ishim këtu kemi pranuar raportime tjera që lidhen me këtë rast”, tha Nikçi.

Dyshime që raste të tilla mund të kenë ndodhur edhe më herët në “Orenda”

Dorian Juniku, prokuror i Prokurorisë së Pejës, mbrëmë ka bërë të ditur se prokuroria ka informata se në Qendrën e të moshuarve në Pejë, mund të ketë raste të tjera të dhunës, edhe ndaj të moshuarve të tjerë, përveç asaj që u raportua gjatë ditës së mërkurë.

Juniku theksoi se prokuroria është ende në fazën hetimore, dhe se nuk do të ndalen derisa ky rast të zbardhet.

“Jemi në fazën fillestare hetimore, që në fund të kompletojmë rastin dhe të kemi një pasqyre të qartë se çfarë ka ndodhur, nuk do të ndalemi deri sa të sqarohet i gjithë rasti”, ka thënë ai në RTV Dukagjini.

“Është autorizuar policia, që të vazhdojë edhe të personelit, por edhe të tjerëve që janë vendosur aty. Kemi dyshime që këto raste mund të kenë ndodhur edhe më herët”, ka vijuar ai.

Qytetari Tomor Hasani, ka bërë të ditur për Telegrafin se me datën 20.09.2021 përmes një e-maili, ka çuar ankesë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale për keqtrajtimet që iu janë bërë vazhdimisht të moshuarve në “Orenda”.

Sipas tij, pikërisht pronari i qendrës “Orenda”, Aton Rasaj, i ka bërë presion që ta tërheq ankesën nga ministria në fjalë.

“Fatkeqësisht pas ankesës time nuk është marrë asnjë masë nga institucioni në fjalë. Përkundrazi fëmijëve të familjares time që është e vendosur aty, u është bërë presion nga pronari i kësaj qendre Anton Rasaj, që të më bind ta tërheq këtë ankesë”, ka thënë Hasani.

E përkundër ankesës që kishte bërë, MPMS nuk kishte marrë masa ndëshkuese. Madje, ai thotë se as nuk kishte marrë përgjigje nga ministria.