Filloi Komisioni kuvendor për mbrojtje dhe siguri në rend dite të së cilit është Propozimi qeveritar për vazhdim të gjendjes së krizës në vend deri më 30 prill 2023.
Siç arsyetoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, vazhdimi i afatit është për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe gjendjeve të tregjeve me energji elektrike, ndërsa qëllimi është të ndihmohen qytetarët, ekonomia dhe institucionet.
“Ky propozim vjen si pasojë e krizës energjetike e cila është pasojë, para së gjithash, e ngjarjeve gjeopolitike. Menaxhimi me sektorin energjetik është integruar në bazë të lidhjeve që i ka vendi me rajonin dhe BE-në, por është e lidhur edhe me kapacitetet për eksport, si dhe me kapacitetet prodhuese me qëllimin e vetëm – të përmbushen kërkesat. Bëj thirrje, të gjithë anëtarët e Komisionit dhe deputetët të kontribuojnë me propozime konkrete që t’iu ndihmojmë të gjithëve – edhe amvisërive, posaçërisht atyre më të ndjeshme, dhe biznesit dhe institucioneve”, theksoi Bekteshi, duke e arsyetuar Propozim-vendimin.
Për fjalë u paraqit Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM opozitare i cili i tha Bekteshit se vendimi është i mirë, por i vonuar.
“Ajo që po bëni tani, duhej ta kishit bërë vitin e kaluar”, theksoi Stojanovski.
Sipas tij, vërejtje kyçe e opozitës për krizën energjetike është se populli dhe ekonomia paguajnë çmim shumëfish më të lartë për rrymën, por jo vetëm për shkak të konfliktit ushtarak ruso-ukrainas, por edhe për shkak të institucioneve të cilat nuk mund të reflektojnë zgjidhje adekuate.
“Nëse në pjesën e parë të këtij viti shpenzuam 450 milionë euro për t’ia ndalur hovin krizës, ndërkaq nuk arritëm asgjë, si do t’ia dalim tani me 70 milionë euro?”, pyeti deputeti i OBRM-PDUKM-së.
Propozim-vendimi për vazhdim të gjendjes së krizës deri më 30 prill 2023 u konstatua në mbledhjen qeveritare më 13 shtator, ndërsa nëse e kalon filtrin kuvendor, duhet të fillojë të zbatohet prej 1 tetorit.
Comments are closed for this post.