Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mbrëmë në një intervistë televizive tha se nuk mund t’u thotë shtetasve të Maqedonisë nëse propozimi francez për zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë është i mirë apo i dëmshëm, por tha se Serbia do të ndihmoj maksimalisht në hapjen e negociatave me BE-në.

“Hapja e negociatave, natyrisht që ndihmon shtetet. Tani, a është gjithçka në rregull dhe e shkëlqyer në propozim? Epo, sigurisht që jo. A është gjithçka e ëmbël? Sigurisht që jo. Por ka një çështje tjetër, e cila është alternativa”, tha Vuçiq, duke shtuar se kur Serbia pranoi Marrëveshjen e Brukselit në 2013, nuk ishte një marrëveshje veçanërisht e mirë për serbet. “Ishte një marrëveshje e vështirë me shumë pika që njerëzit në Serbi nuk donin t’i dëgjonin apo pranonin. Sidomos njerëzit nga Kosova, i refuzonin kategorikisht, dhe sot, siç mund ta shihni, marrëveshja e Brukselit është ajo që ne i referohemi më shumë”, u shpreh Vuçiq.

Siç theksoi ai, Serbia me ndihmën e BE-së, më shumë se dyfishoi pagat dhe mori investime të konsiderueshme, 62 për qind të totalit të investimeve për Ballkanin Perëndimor.

“Kemi më shumë se dyfishuar pagat. Atëherë ne kishim paga në nivelin e Maqedonisë së Veriut, pak më shumë se 330 euro, ndërsa sot pagat tona janë mesatarisht 640 euro dhe së shpejti do të rriten në 720 euro”, tha Vuçiq.

Në Beograd, pagat së shpejti do të rriten në mbi 910-920 euro duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që t’i vendosin gjërat në mënyrë të arsyeshme, sepse vetëm kështu do të kuptojnë se çfarë fitojnë dhe çfarë mund të humbasin në fillim të negociatave me Unionin, duke theksuar se rruga evropiane është e vështirë, por përparimi i vendit do të jetë thelbësor për të gjithë.