Komisioni Evropian e ka përshëndetur propozimin francez për kornizën negocuese për Maqedoninë e Veriut dhe vlerëson se mundëson fillim të negociatave me BE-në.

Zëdhënësja e Komisionit, Dana Spinant ka thënë së BE ka shënuar progres në çështjen e Maqedonisë dhe Bullgarisë.

“E përshëndesim zhvillimin e situatës lidhur me Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas propozimeve franceze dhe falë punës së kryesimit francez, i cili e ka përfunduar misionin e vet javën e kaluar, kemi bërë përparim të madh për këtë çështje”, deklaroi Spinant, zëdhënëse e Komisionit Evropian në takimin e sotëm të rregullt me gazetarë në Bruksel.

KE-ja, shtoi ajo, u informua për protestat kundër propozimit, të cilat janë mbajtur këtë fundjavë në Shkup, si dhe për qëndrimin e opozitës, e cila vlerëson se propozimi nuk është mjaftë i mirë.

“Prej afër i ndjekim ngjarjet në Maqedoninë e Veriut, tani është koha për vendime me përgjegjësi, të cilat do të mundësojnë të shkohet përpara me procesin. Për neve tani është koha të përparohet me procesin negociues, propozimi i modifikuar francez pikërisht këtë e mundëson”, deklaroi zëdhënësja Ana Pisonero.

Ajo shtoi se Komisioni “u bën thirrje të gjitha partive politike të veprojnë në mënyrë konstruktive në emër të interesave të qytetarëve, të cilët kohë të gjatë presin për rrugën drejt BE-së”.

“Propozimi i kryesisë franceze i merr parasysh interesat dhe preokupimet të gjithëve”, tha Pisonero.

Kujtojmë se propozimi i modifikuar francez ka disa ditë që ka arritur në Maqedoni dhe i njejti është ne fazë të analizës dhe konsultimeve.

Ky propozim, erdhi menjëherë pas atij paraprak ku ishin përfshirë të gjitha kërkesat bullgare që për shtetin e Maqedonisë nuk ishin aspak të pranueshme.