Pesë ushtarë të FSK’së kanë shfaqur simptoma helmimi pas syfirit që kanë ngrënë në mensë. Kanë pasur dhimbje barku, por jo edhe vjellje apo jashtëqitje. Fjalën e fundit për këto dyshime do ta japë Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ku edhe janë dërguar mostrat për analiza.

Ushqimi i syfirit, disa ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës u shkaktoi dhimbje barku.
Mesditën e djeshme, pesë prej tyre u ankuan për simptoma helmimi, ani pse ende nuk është konfirmuar një gjë e tillë.

Për këtë dhimbje, dyshimet i kanë se u ka ardhur nga një lloj mishi i pulës, i përzier me disa kombinime që e kanë ngrënë në syfyr.

Në spital s’ka përfunduar asnjëri, por vetëm janë trajtuar në shtëpi.

Për këto dyshime, përgjigjen përfundimtare do ta jap Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Inspektori sanitar për Rajonin e Gjilanit, Shefik Beqiri, i ka thënë Gazetës Express se sot i kanë dërguar mostrat për testim në IKSHP.

I pyetur nëse ka shfaqur simptoma të tilla edhe ndonjë ushtar tjetër, ai thotë se s’ka asnjë rast tjetër.

Për motrat e dërguara në Institut, ai s’beson se rezultatet do t’iu kthehen sot.

“Deri tash, se po i shoh edhe portalet po shkruajnë gjithçka, sa jam në kontakt me instituin, s’ka asnjë rast tjetër. Nuk ka asnjë rast tjetër. Tash po presim. Mostrat i kemi përcjellë sot në mëngjës në Institut në Prishtinë. Po i presim rezultatet. Nuk besoj që vijnë sot, sepse 72 orë nevojiten”, ka thënë Beqiri.

Për simptomat e ushtarëve, ai është deklaruar edhe mbrëmë.

“Kanë dhimbje barku, nuk kanë pasur vjellje apo jashtëqitje, dyshohet por nuk është konfirmuar ende nga Instituti. Isha në vendin e ngjarjes dhe në FSK në kuzhinë, ushqimet janë të llojeve të ndryshme, por ajo nga cka ankohen këta pesë ushtarë janë që kanë përdorur një lloj ushqimi mish i bardh me disa kombinime. Nuk janë trajtuar në spital, vetëm janë ankuar por nuk ju është bërë ndonjë trajtim”, tha Beqiri.

Ai shtoi se ushtarët që dyshohet se janë helmuar kanë thënë se kanë ngrënë bukë në mensë të FSK’së.

“Ata kanë mujt me honger edhe vetë dikund, mirëpo ata po ankohen që kanë honger në menzë të FSK’së”, tha Beqiri.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike nuk është përgjigjur kur është pyetur se kur do të dalin rezultatet e këtyre mostrave.

Gazeta Express ka dërguar pyetje edhe te Ministria e Mbrojtjes, për të marrë informacione nëse simptoma të tilla janë shfaqur edhe të ndonjë pjesëtar tjetër dhe numrin e saktë të ushtarëve që kanë ngrënë bashkë me këta që dyshohet se janë helmuar. Nga ky institucion s’janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të tekstit.

Për këtë rast, janë deklaruar vetëm mbrëmë, ku përmes një njoftimi në faqen zyrtare, kanë thënë se të pesë pjesëtarët janë shëndosh e mirë.

“Me të marrë informacionin, SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde operative dhe deri më tani kemi të konfirmuar se të gjithë pjesëtarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tani janë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se janë marrë mostrat edhe nga IKSHPK, derisa janë duke pritur për rezultatet.

“Gjithashtu, përmes mekanizmave tanë zyrtar mjekësor si dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë marrë mostrat e ushqimit dhe jemi duke pritur rezultatet e analizave që do të mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të mundshëm, që kanë rezultuar me çrregullimin shëndetësor të pjesëtarëve tanë”, thuhej në njoftim.