Marc-Andre ter Stegen u shndërrua në hero me një pritje madhështore dhe vendimtare në fitoren e Barcelonës 1:0 kundër Real Mallorcas të dielën.
Luuke de Jong e shënoi golin e vetëm dhe të triumfit në Palma de Mallorca, duke e kthyer skuadrën e trajnerit Xavi Hernandez në binarë për top katërshe në La Liga.
Por ishte portieri gjermanTer Stegen heroi i mbrëmjes për katalonasit, pasi ia mohoi golin Jaume Costa duke e pritur goditjen e tij të fuqishme nga afërsia në mënyrë mahnitëse.
Kjo fitore, vetëm e dyta për Xavin në pesë ndeshjet e fundit, e dërgon Barcelonën në pozitën e pestë dhe vetëm një pikë larg vendit të katërt, ku ndodhet kampioni në fuqi Atletico Madrid me 31 pikë.
Mallorca ngel në vendin e 15-të me 20 pikë, vetëm katër pikë larg zonës së rënies nga liga.
Të dy skuadrat ishin të mangëta me mungesa të mëdha për shkak të përhapjes së madhe të koronavirusit në futbollin spanjoll dhe si pasojë e lëndimeve.
Barcelonës i munguan 16 lojtarë të ekipit të parë, shumica të prekur nga virusi dhe disa të lënduar e pezulluar. Mallorcas i munguan 12 lojtarë, shumica dërrmuese të sëmurë me virus.
Skuadra katalonase e kishte ndeshjen nën kontroll pothuajse gjatë gjithë kohës, përveç në çastet e fundit kur vendasit i rriten përpjekjet për ta shmangur disfatën, e cila ishte e shtata këtë sezon për ta.
De Jong e theu akullin në minutën e 44-të, kur shënoi me kokë pas një harkimi nga Oscar Mingueza, duke i dhënë pushim të qetë mes pjesëve Xavit.
Paraprakisht, sulmuesi holandez i cili luajti titullar vetëm falë mungesave të mëdha te Barça, e kishte qëlluar shtyllën horizontale me një goditje akrobatike me gërshërë.
Mallorca i kishte rastet e veta por asnjëherë nuk erdhi më afër golit se në minutën e 92-të, kur Ter Stegen me dorën e djathtë e ndali goditjen e fuqishme të Costas nga afërsia.
Comments are closed for this post.