Qytetarët e Maqedonisë së Veriut sot do ta festojnë ardhjen e Vitit të Ri 2022 pa masa të rrepta kundër coronavirusit. Viti i Ri do të festohet në bare, kafene, restorante, si dhe në sheshe.

Autoritetet shëndetësore prej ditësh po sigurojnë se situata epidemiologjike është e qetë dhe se nuk ka presion në sistemin shëndetësor, pra nuk ka pranim në spitale, për këtë arsye nuk ka nevojë të vendosen masat më të rrepta kufizuese për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

“Vitin e kaluar në këtë kohë kemi pasur një situatë krejtësisht të ndryshme. Qendrat Covid ishin të mbipopulluara me mbi 1.000 të shtruar në spital si dhe një numër të madh të të infektuarve. Nuk kishte vaksina dhe nuk kishte shumë njerëz që e fituan imunitetin në mënyrë natyrale, pra që u prekën nga kjo sëmundje.
Masat më mosmirënjohëse na u desh të bënim gjatë ditëve të Vitit të Ri dhe Krishtlindjeve. Kafenetë u mbyllën, nxënësit ishin në shtëpi, punonjësit në shumë sektorë punonin nga shtëpia. Tani është ndryshe. Në një mënyrë apo tjetër, në Maqedoni ekziston një imunitet kolektiv.

Numri i të infektuarve varion nga 300 deri në 400, kështu që në raport me vendet evropiane jemi realisht në një pozicion shumë më të favorshëm. Deri më tani, lloji i ri omicron është zbuluar vetëm tek një person, ndaj të shpresojmë që në periudhën e ardhshme të mos shkaktojmë shpërthim të valës së re”, thonë nga Komisioni për Sëmundjet Infektive për “Faktor”.