Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” ka reaguar në lidhje me heqjen e korsive të biçikletave në qytetin e Tetovës.

Nga atje thonë se korsitë për biçikleta nuk duhet të zëvendësohen me parking, por me korsi të reja sipas standardeve!

“Largimi i djeshëm i korsive për biçikleta në Tetovë, ndonëse shpjegohet si zbatim i ligjit, nuk guxon të bëhet shkak për përkeqësim të trafikut në qytet. Një problem nuk zgjidhet duke shkaktuar një problem tjetër më të madh!

Që kjo masë të arrijë rezultatin e dëshiruar, Komuna e Tetovës dhe Sektori për Punë të Brendshme (SPB Tetovë) duhet të ndalojnë parkimin e automjeteve përreth bulevardeve, dhe të angazhohen në gjetjen e një zgjidhjeje afatgjate të problemit të parkingut në Tetovë

Korsia e biçikletave nuk duhet të zëvendësohet me parking, por ajo duhet të zëvendësohet me një korsi të re për biçikleta që do të jetë në përputhshmëri me ligjin dhe standardet Evropiane. Përndryshe, efekti i vetëm i arritur nga kjo masë do të jetë mbingarkim i mëtejshëm i trafikut dhe zhgënjim i qytetarëve të cilët shfrytëzonin korsitë e improvizuara për biçikleta”, thonë nga “Më mirë për Tetovën”.

Nga atje shtojnë se Tetova pa korsi për biçikleta nuk është Tetova evropiane të cilën e synojmë.