Pas kalimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, përveç rikonstruimit të paralajmëruar për muajin janar, koalicioni qeveritar mundet edhe të zgjerojë radhët e veta me subjekte të reja politike. Sipas burimeve të larta qeveritare, nëse gjithçka shkon në rregull me ndryshimet kushtetuese, respektivisht me Marrëveshjen e Prespës, athëerë kryeministri Zoran Zaev mund të hapë negociata për përfshirje në qeveri të subjekteve që do të përkrahin ndryshimet. Fillimisht e përmendin grupin prej 8 deputetëve të pavarur të VMRO-DPMNE-së.

“Deri tani nuk është biseduar, por gjithsesi se ata do të jenë një target interesant për negociata”, kanë thënë burme të larta qeveritare, duke dëshiruar të mbeten anonime. Sipas tyre, këtë qëndrim e ndan edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili është i gatshëm të negociojë me të gjitha partitë që do të përkrahin ndryshimet kushtetuese në Kuvend.
“Pse jo, mund të bisedohet edhe me Aleancën dhe me Besën e Kasamit. Sa më afër të jemi te shumica prej 80 deputetëve, aq më mirë”, kanë theksuar këto burime.

Sipas tyre, nëse dështojnë ndryshimet kushtetuese, atëherë “gjithçka bie në ujë” dhe me siguri do të shkohet në zgjedhje të reja parlamentare. Burime qeveritare kanë thënë se rikonstruimi veçmë ka filluar me propozimin për shkarkim të ministrave Adnan Qahil dhe Aksel Ahmedovski. Shkarkimi i tyre është bëë me propozim të kryetarëve të partive të tyre, respektivisht Enes Ibrahimi dhe Samka Ibraimovski.

“Kryeministri Zaev ka qenë i kënaqur me punën e dy ministrave, mirëpo është respektuar vendimi i partive që kanë kandiduar ministrat”, kanë sqaruar në qeveri, transmeton Gazeta Lajm.
Gazeta Lajm veçmë ka shkruar se do të ketë edhe ndryshim esencial të resorëve. Sektri për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit pritet të ndryshojë emrin dhe të shndërrohet në Ministri për sistem politik dhe për multikulturë. Në këtë mënyrë burimet tona thonë se do të gjendet edhe formë elegante për largimin e Hazbi Likës nga posti që e mban, pasi është bë “therrë në këmbën e BDI-së”.