Javën e ardhshme do të shpallet thirrje publike për furnizim me mazut për Termocentralin Negotinë, mëson Alsat. Qeveria vendosi ta vërë në funksion këtë “pensionist” energjetik, pas përpjekjes së pasuksesshme për prokurimin e thëngjillit për bllokun e tretë të TEC Manastirit. Nga Termocentrali Negotinë thonë se nëse Qeveria vendos që nesër të vihet në punë termocentrali, kanë mazut të mjaftueshëm për të filluar prodhimin e energjisë elektrike. Por nga elektranat shtetërore thonë se prej kohësh nuk kanë për prodhim të energjisë elektrike.
TEC Negotinë ka kapacitet për 210 megavat. Kaldaja e parë ka kapacitet prej 90 megavat dhe e dyta 120 megavat. Konsumi mujor për një bllok kërkon 20 mijë ton mazut ndërsa që të funksionojnë të dy blloqet nevojiten 40 mijë ton naftë për një muaj”, thonë nga TEC Negotinë.
Nga EMV-ja thonë se prodhimi i energjisë elektrike është i qëndrueshëm, furnizimi i amvisërive është i rregullt dhe i pandërprerë. Megjithatë, tendencat e tilla për të vazhduar varen nga fakti nëse tenderi i përsëritur për qymyr do të jetë i suksesshëm, pasi i pari dështoi.
“Nëse edhe kësaj radhe dështon tenderi dhe nuk prokurohet mjaftueshëm thëngjill për bllokun e tretë të TEC Manastir, atëherë autoritetet thonë se do të përdoret opsioni B. Dhe ajo është prokurimi i energjisë elektrike nga bursat ku tregtohet me një çmim shumë më të lartë se ai që shteti i jep Furnizuesit Universal”
Se situata është e rëndë, tregon edhe takimi i djeshëm i drejtorëve të kompanive energjetike të cilët analizuan nëse duhet të shpallet krizë energjetike në vend.
Termocentrali Oslomej, për të cilin tashmë janë siguruar 300 mijë tonë, do të vihet sërish në funksion më 15 nëntor. Ndryshe, rryma në muajin e fundit është rritur për gati pesë herë, por qytetarët deri në Vitin e Ri nuk do ta ndjejnë atë goditje të çmimit, e më pas nuk dihet se sa do të jenë faturat e amvisërive. Kompanitë që janë në tregun e lirë prej dy muajsh paguajnë të paktën dyfishin e çmimeve të energjisë elektrike dhe kjo ndikon në produktet e tyre finale që i vendosin në treg.
Ile Petreski
Comments are closed for this post.