Kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut kanë uruar festën e Fitër Bajramit.

Telegrafi Maqedoni më poshtu u sjell urimet e kryetarëve të partive politike.

Ali Ahmeti:

“Të dashur besimtar,
Kam kënaqësinë e veçantë t’ju uroj Gëzuar Fitër Bajramin duke ju dëshiruar fillimisht shëndet dhe mbarësi në familjet e juaja. Muaji i shenjt i Ramazanit dhe Fitër Bajrami na përkujtojnë dhe na rikthejnë tek vlerat më të mira njerëzore mbi të cilat reflektojmë me gjithë qenien tonë përgjatë gjithë muajit të agjërimit. Uroj agjerim të pranuar dhe festë të mbarë e të begatë. Qofshim më të mirë për veten, për njëri tjetrin dhe për gjithë shoqërinë tonë.

Ziadin Sela:

Pas një muaj të përcjellë me sakrificë e devotshmëri sot festojmë Fitër Bajramin.
Është kjo festa jonë që thyen muret e egoizmit dhe krijon afërsinë më reale dhe me të natyrshme mes njerëzve duke e rritur besimin dhe vetëdijen tonë për të qëndruar më pranë Zotit dhe ndaj atyre që kanë nevojë për ne!
Mes vështërsive, forca e besimit kthehet në shpresë dhe kurajo me plot solidaritet për paqe e harmoni me njëri tjetrin!
Më lejoni që në emrin tim dhe të Aleancës për Shqiptarët të gjithë besimtarëve musliman t’ju uroj Fitër Bajramin duke ju uruar shëndet, mbarësi dhe ngrohtësi në familjet e juaja.
Zoti tju pranojë agjërimin dhe lutjet e Juaja!

Bilall Kasami:

“Lutjet tona le të ngrihen mbi besimin dhe adhurimin e sinqertë. Agjërim të pranuar, e lutje të realizuara. Gëzuar Festën e Fitër Bajramit – paqja, dashuria dhe toleranca le ta zbukurojnë të ardhmen tonë!

Afrim Gashi:

Bajrami i këtij viti na vjen përsëri duke na përgëzuar për suksesin e arritur gjatë Ramazanit, duke na e sjellë buzëqeshjen e lumtur të festës, por edhe duke na i ndërmendur dhimbjet e ndarjet që i kemi pasur gjatë këtij viti.
Dhe, në këtë ditë feste, derisa urojmë nga zemra, t’i kujtojmë edhe ato sofra që sot janë të vobekta jo vetëm për nga modestia e ushqimeve, por edhe për nga mungesa e njerëzve që ndërkohë i përcollëm për në botën tjetër.
Bajrami është festë e vizitave, dashurisë dhe harmonisë. Andaj, këto ditë mos u kurseni, shpërndajeni gjithkund këtë gëzim.
Njerëzimi edhe në të kaluarën ka kaluar këso sfida, por gjithnjë ia ka dalë. Andaj, unë jam i bindur se edhe kjo sprovë e Zotit dalëngadalë po merr fund dhe ne po bashkohemi si gjithnjë në festa e gazmende.
Lutem që agimi i Bajramit të na gjejë me plot dashuri, ndërsa sofra e Bajramit të jetë e bereqetshme dhe e mbushur plot me lutje për Zotin, Furnizuesin e Vetëm!
E gëzofshi për mot e jetë Bajramin e Madh!
Zoti ju bekoftë!

Menduh Thaçi:

“Kjo festë karakterizohet me solidaritet dhe devotshmëri, veti të cilat na bëjnë më të fortë për të mos devijuar nga rruga e drejtë dhe besimi duke vazhduar me angazhimet e mëtejshme si dhe me kultivimin e vlerave tona fetare dhe kombëtare.
Në emrin tim dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare, ua uroj gjithë besimtarëve mysliman Festën e Fitër Bajramit. Uroj që kjo festë të përcillet me dashuri, respekt, solidaritet dhe me mirëqenie ekonomike për ju dhe familjet tuaja.