Barazia në të gjitha sferat e jetës është baza mbi të cilën duhet të ndërtojmë politika moderne për të ardhmen, tha zëvendëskryeministri dhe ministri për Sistem Politik dhe Marrëdhënieve Ndërmjet Bashkësive Artan Grubi në panel-diskutimin e sotëm “Të drejtat e pjesëtarëve të bashkësive – situata, trendet dhe sfidat “, me rastin e 10 dhjetorit – Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Ai thotë se të drejtat e bashkësive dhe qasja përmes prizmit të numrave dhe përqindjeve shpesh debatohet, por siç theksoi, ai nuk i sheh njerëzit dhe të drejtat e tyre si statistika.

“Shifrat duhet të jenë vetëm tregues se kjo shoqëri është multietnike. Për mua, të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë të Veriut janë të barabartë”, tha Grubi, duke shtuar se në vend ekzistojnë mekanizma kushtetues dhe ligjorë dhe institucione shtetërore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Sipas tij, Marrëveshja e Ohrit paraqet një kthesë të të drejtave etnike, jo vetëm të shqiptarëve, por të gjithë të tjerëve, përfshirë edhe bashkësinë maqedonase. Marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike në vizionin e Ministrisë dhe Qeverisë, siç theksoi ai, janë temë e së ardhmes dhe ata besojnë në një shoqëri të barabartë për të gjithë.

Grubi informoi se ata filluan të punojnë si Ministri në disa fusha, gjegjësisht së pari avancimin e përfaqësimit të drejtë duke i dhënë elemente të përfaqësimit vertikal dhe horizontal, si dhe përdorimin e gjuhëve. Informoi se përveç ndryshimeve ligjore, ata po punojnë me Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve për të krijuar një plan veprimi që do të zgjasë për tre vjet me aktivitete për ta bërë këtë projekt më të suksesshëm.

Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Dejvid Gir, theksoi se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet realizimit të të drejtave të bashkësive më të vogla.

“Aktivitetet politike janë të nevojshme për të kapërcyer boshllëqet midis etnive. Kjo kërkon burime përkatëse, adekuate njerëzore dhe financiare. Pres që ngjarja e sotme të japë një analizë të plotë të situatës dhe mënyrës më të mirë për të zgjidhur këto çështje. Bashkimi Evropian është i gatshëm të ndihmojë në çdo përpjekje që do të çojë në mbrojtje më të madhe të të drejtave të njeriut”, tha Gir.

Këtë ditë, tha ai, duhet të përcjellim mesazhin se barazia, drejtësia dhe liria ndihmojnë në parandalimin e konfliktit dhe arritjen e paqes. Kjo, shtoi ai, nuk është vetëm porosi për të drejtat e njeriut, por duhet të jetë themeli i punës sonë të përditshme.

Panel diskutimi u organizua nga Agjencia për Realizimin e të Drejtave të Bashkësive (ARDB), përmes projektit “Përforcimi i demokracisë përmes avancimit dhe mbrojtjes së të drejtave të bashkësive”, financuar nga BE.