Dy shqiptar nga Maqedonia e Veriut të përfshirë në sulmin terrorist në Vjenë të Austrisë, njëri organizatorë e tjetri viktimë. Kujtim Fejzullau 20 vjeç nga Çellopeki i Tetovës mësohet të jetë organizatori i sulmit makabër, ndërsa viktima më e re e këtij sulmi mësohet të jetë një 21 vjeçar nga Veleshta e Strugës, për të cilin autoritetet në Maqedoni të Veriut presin versionin zyrtarë nga organet hetuese në Austri.

Fejzullau i lindur në Modling të Austrisë i cili mbrëmë u ekzekutua gjatë aktit nga forcat e armatosura kishte edhe shtetësi të Maqedonisë së Veriut. Informacionet i ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehamer i cili ka deklaruar se pistat e hetimit çojnë në disa të dyshuar nga Austria dhe shtetas të Kosovës, Çeçenisë dhe Banglladeshit.

Kishte rrip të lidhur për trupi dhe në të kishte bombë. Mbante pushkë automatike, pistoletë dhe një thikë të madhe”-tha Karl Nehamer, Ministër i Brendshëm, Austri.

12 persona janë nën kërkim, ndërsa 4 prej sulmuesve janë arrestuar mbrëmjen e kaluar. Forcat policore pjesë e të cilës ishin edhe 3 policë shqiptarë, neutralizuan atentatorët në kohë rekord. Për zbardhjen e rastit dhe lidhjet e mundshme të Fejzullaut me struktura në Maqedoninë e Veriut, policia austriake përmes Europolit ka kërkuar ndihmën e policisë së Maqedonisë. Austria ka shpallur 3 ditë zie për viktimat dhe të plagosurit si pasojë e sulmit terrorist në afërsi të Qendrës së Vjenës, pranë Sinagogës. Kancelari austriak, Sebastian Kurtz në mesazhin drejtuar kombit ka potencuar se autoritetet austriake nuk do t’i nënshtrohen rrezikut dhe se ky akt nuk paraqet armiqësi mes komuniteteve fetare në Austri.

Nuk do t’i përulemi kërcënimit tyre. Duhet patjetër luftojmë kundër terrorit dhe nuk do të lejojmë që ekstremizmi islamik të jetë prezent në shoqërinë tonë dhe të krijojë përçarje. Nuk do t’i japim hapësirë. Armiqtë tanë nuk janë pjesëtaret e një komunitetit fetar ose shtetas të një vendi tjetër. Ata janë vetëm ekstremistë dhe terroristë të cilët nuk kanë vend në shtetin tonë të lirë. Kjo nuk është luftë mes myslimaneve dhe krishterëve, apo mes emigrantëve në Austri. Kjo është luftë mes civilizimit dhe barbarizmit”-tha Sebastian Kurtz, Kancelar i Austrisë.

Janë bastisur 15 lokacione në afërsi të adresës së banimit të Kujtim Fejzullahut dhe janë shoqëruar në polici dhjetëra persona. Informacionet e kumtuara nga policia austriake thonë se Fejzullahu së bashkë me një person tjetër gjatë muajit korrik kishte udhëtuar për në Sllovaki nga ku dyshohet se është furnizuar me armë. Ai ishte dënuar me 22 muaj burg për shkak të pjesëmarrjes në organizatë terroriste. Në dhjetor të vitit 2019 u lirua nga burgu për shkak të moshës, për të cilën ishte konstatuar se është i paaftë të kryej sulm terrorist dhe të merr pjesë në luftëra jashtë vendit.