Qeveria e Çekisë do të jetë e detyruar të shtrëngojë masat kundër përhapjes së koronavirusit, pasi masat aktuale nuk e kanë ndalur rritjen e numrit të të infektuarve, tha kryeministri Andrej Babis, të dielën.
Përkeqësim i situatës së pandemisë është shënuar në të gjithë Evropën, por Republika e Çekisë ka regjistruar rritjen më të mprehtë të numrit të të infektuarve në javët e fundit.
Qeveria të mërkurën urdhëroi shumicën e dyqaneve dhe shërbimeve të mbyllen dhe u përpoq të kufizonte lëvizjen vetëm në udhëtime thelbësore.
“Masat që kemi marrë nuk po funksionojnë ende”, tha Babis në një mesazh përmes videos në faqen e tij në Facebook.
“Java e ardhshme do të jetë e rëndësishme, dhe nëse nuk ndodh një mrekulli, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër përveç se të shtrëngojmë masat tona më tej”, tha ai.
Babis tha se ai dëshironte që Krishtlindja të festohej në kushte normale, por tash nuk mund të premtojë asgjë.
“Unë nuk e di se çfarë do të ndodhë me virusin. Nuk e di”, tha ai.
Zyrtarët çekë kanë pranuar se vendi ka nevojë për ndihmë.
Praga mori dërgesën e parë të ventilatorëve nga Komisioni Evropian të shtunën.
Qeveria ka rënë dakord gjithashtu për një plan për të sjellë një ekip mjekësor të Gardës Kombëtare të SHBA-së për të ndihmuar në spitalet çeke.
Të dielën ky vend shënoi mbi 7 mijë raste të reja me koronavirus, nga testimi i mbi 36 mijë mostrave. Deri më tani janë infektuar mbi 250 mijë persona. Prej tyre, mbi 97 mijë janë shëruar ndërsa 2.201 kanë vdekur. Raste aktive janë 158,515.
Comments are closed for this post.