Australia tha se do të sigurojë afro 85 milionë doza të vaksinës për koronavirus, nëse dy prova të saj rezultojnë të suksesshme.

Kryeministri Scott Morrison tha se vendi i tij ka arritur dy marrëveshje për doza pa pagesë, që do të jepeshin në vitin 2021, nëse miratohen për përdorim.

Ai tha se 25 milionë njerëzit e Australisë do të mund të nisin vaksinimin në janar, por shtoi se “nuk ka garanci” për këtë.

Njëra vaksinë është nga Universiteti Oxford dhe kompania farmaceutike AstraZeneca, ndërsa tjetra është lokale, nga Universiteti Queensland.

E para është në fazën e tretë dhe të fundit të testimit, e dyta është në fazën e parë.

Të dyja ka shumë të ngjarë të kërkojnë që njerëzit të marrin nga dy doza.

Australia ka regjistruar më shumë se 26,000 raste me koronavirus dhe 769 viktima – shumica prej tyre në dy muajt e fundit.

Qeveria e Australisë tha se imunizimi nuk do të jetë i detyrueshëm, porse do të inkurajohet fuqishëm.

Morrison tha se Australia gjithashtu mbetet e përkushtuar për të siguruar qasjen në vaksina për fqinjët e saj në Paqësor dhe Azinë Juglindore.