Në Maqedoni nuk ka import të ushqimit nga Kina, por prapë se prapë organet kompetente rekomandojnë që qytetarët të kenë kujdes gjatë përgatitjes së ushqimit me prejardhje të kafshëve, sepse koronavirusi mund të bartet edhe përmes kontaktit me produktet që kanë prejardhje të kafshëve. Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, Zoran Atanasov, theksoi që nuk ka hapësirë për panik, sepse Kina ka ndaluar eksportin e ushqimit nga rajonet e prekura.

“Alarmi është ndezur edhe te ne, por nuk ka import të dërgesave me ushqim nga Kina. Virusi është i rrezikshëm për njerëzit, jo edhe për kafshët”, theksoi Atanasov. Ai shtoi që AUV posedon pajisje specifike për mbrojtje nga sëmundjet, e cila, nëse është e nevojshme, do të i vihet në dispozicion Ministrisë së Shëndetësisë.

Për shkak që bëhet fjalë për zoonozë, sëmundje e cila mund të bartet edhe përmes kontaktit me kafshët dhe produkteve me prejardhje të kafshëve, AUV në pajtim me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandon që të shmanget kontakti i pambrojtur me kafshë shtëpiake ose kafshë të egra, ushqimi me prejardhje të kafshëve gjatë përgatitjes tërësisht të përpunohet në nxehtësi, të përdoren enë dhe thika të ndryshme gjatë përgatitjes dhe prerjes të ushqimit të thatë dhe të zier, duart të lahen pas çdo kontakti me llojet e ndryshme të ushqimit.

Ata gjithashtu rekomandojnë që gjatë punës me kafshë të përdoren doreza dhe maska mbrojtëse, ndërsa veshja e punës të ndërrohet dhe të lahet çdo ditë. Është e obligueshme të lahen duart gjatë kontaktit me kafshë dhe ushqimit me prejardhje të kafshëve, të shmanget kontakti me kafshë të sëmurë, mish të prishtë, mbeturina dhe materie të mbeturinave.

Në bazë të Ligjit për siguri të ushqimit dhe akteve të tjera ligjore dhe nënligjore, veterinarët oficial dhe inspektorët për ushqim bëjnë kontrolle në të gjitha fazat e prodhueshmërisë, përpunimit, distribuimit, tregtisë me ushqim, si dhe kontrolle të materialeve që vijnë në kontakt me ushqimin. Inspektorët e Agjencisë për ushqim dhe veterinari (AUV) janë të angazhuar në terren ta përcjellin punën e operatorëve dhe tregtarëve me ushqim dhe të realizojnë kontrolle. Çdo prodhim ose produkt jo i rregullt që nuk i përputhet dispozitave, qytetarët mund ta kthejnë te tregtari dhe të kërkojnë ndërrim ose kthim të të hollave.

Nëse tregtari refuzon, qytetarët duhet të drejtohen deri te inspektorati i AUV, me çka inspektori do të realizojë mbikëqyrje në terren dhe do të sjell vendim. Kompetenca e shërbimeve inspektoriale të AUV është shqiptimi i dënimit për përdorim të objekteve dhe pajisjes për prodhueshmëri dhe qarkullimit kur nuk respektohen standardet për siguri të ushqimit. Që të parandalohet plasmani i ushqimit jo të sigurt, helmimeve dhe infeksioneve, krahas kontrolleve të rregullta, zbatohen edhe kontrolle të pazakonta te operatorët me ushqim.

“Inspektorati ka autorizim të ndalojë prodhimin dhe qarkullimin e ushqimit, që përfaqëson rrezik ndaj shëndetit te njerëzit, të urdhërojë shkatërrim të ushqimit që nuk është i sigurt, si dhe të largojë persona nga prodhueshmëria dhe qarkullimi, për të cilët është vërtetuar që janë bartës të sëmundjeve ngjitëse që barten përmes ushqimit”, theksojnë nga Agjencia.

Inspektori mund të jep urdhër për largim urgjent dhe të menjëhershëm të mangësive të konstatuara. Nëse ekziston dyshim që prodhimet nuk i plotësojnë kushtet për siguri, përfshirë edhe kur ka dyshim që ndonjë produkt i caktuar është bërë i pasigurt, inspektorët marrin mostra dhe realizohen edhe analiza laboratorike.

“Shërbimet inspektoriale mund të urdhërojnë për tërheqje të produktit nga qarkullimi për të cilin ekziston dyshim ose është vërtetuar që nuk është i sigurt, si dhe shkatërrimin e tij. Për largimin e mangësive të konstatuara nga organet inspektoriale, ligji parasheh procedurë sanksionuese. Për pasoja serioze me të cilat është rrezikuar shëndeti dhe jeta e njerëzve, kundër operatorit mund të ngrihet edhe procedurë penale”, potencojnë nga AUV. Vitin e kaluar janë realizuar gjithsej 117.424 kontrolla. Me çka janë shquar 5.068 masa, prej të cilave 2.342 edukime dhe 29 gjoba të detyrueshme, ndërsa është zbatuar edhe një procedurë penale.

“Vitin e kaluar, si të pasigurt janë shkatërruar gjithsej 39.064 kilogramë ushqim me prejardhje të kafshëve dhe jo të kafshëve. Për siguri të ushqimit i inkurajojmë qytetarët çdo mospërputhje ta paraqesin në Agjencinë, personalisht, përmes telefonit në linjën falas 0800 3 22 22, ose në mënyrë elektronike”, informojnë nga Agjencia./Koha/