Qytetarët kanë më shumë besim në kryeministrin Zoran Zaev. Pas tij pasojnë politikanë tjerë, lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, lideri i BDI-së Ali Ahmeti, kryetari i ASH-së Ziadin Sela, i Alternativës Afrim Gashi, ai i Besës Billall Kasami, tregon anketa më e re e emisionit “Detektor” në TV Sitel të cilin e ka përpunuar Instituti për Hulumtime Politike (IHP).

Sipas anketës në Zaevin besojnë 14.5 e anketuesve, në Mickoskin 12.1, rejtingu i Ahmetit është 4.4, derisa i Selës është 3 për qind. Pason Nikolla Gruevski ku në të besojnë 2.1 për qind, Gashi 0.7, Bilall Kasami me 0.6 dhe Menduh Thaçi me 0.1 për qind.

Më shumë se gjysma e qytetarëve ose 50.9 për qind thonë se do të dalin në votime nëse javën e ardhshme organizohen zgjedhje të parakohshme, 24.7 do të abstenojnë, ndërsa 24.3 për qind ende nuk kanë sjell vendim. Madje, për 48 për qind rasti “Reket” nuk do të ketë ndikim në zgjedhjet, ndërsa për 41.4 për qind mu ky rast do të ketë ndikim. Afër gjysma e qytetarëve ose 49.7 për qind tregon se vendimi i tyre nuk do të ndikojë as epilogu rreth datës për fillim të bisedimeve me BE-në, derisa 37.2 për qind kanë thënë se progresi i procesit integrues ndikon në vendimin se për cilin do të votojnë.

Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare 21.1 për qind do të votojnë për VMRO-DPMNE-në, 18.1 për qind për LSDM-në. Në bllokun politik shqiptar mbështetje më të madhe ka BDI. Për këtë parti do të votojnë 4.5 për qind e qytetarëve. Pason partia e Ziadin Selës me 2.8 për qind, pastaj Alternativa e Afrim Gashit me 0.8, derisa Besa e Bilall Kasamit ka 0.7 për qind mbështetje.

Mes institucioneve besim më të ulët ka PSP. Në shkallën prej 1 deri në 5, nota e mesme që i japin PSP-së është 1.68. Rreth 57 për qind e të anketuarve besimin në PSP e kanë vlerësuar me njësh. Me notë dy janë vlerësuar gjykata dhe prokuroria publike. Besimi në Parlamentin është vlerësuar me 2.25 për qind, Qeveria me 2.33, ndërsa opozita me 2.4.

Presidenti dhe mediat janë të vetmit institucione të cilët kanë notë të mesme- tre. Institucioni president ka marrë vlerësimin 2.63 për qind, ndërsa mediat 2.76.

Anketa është zbatuar prej 14 deri 17 shtator në bazë të ekzemplarit reprezentativ me 1.109 anketues.