Sot kanë filluar punimet në rehabilitimin e fazës së parë të linjës së 10-të hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit. Ky projekt u cilësua i një rëndësi të veçantë pasi e lidhë Kosovën me shtetet e rajonit.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili foli për rëndësinë e këtij projekti duke shtuar se infrastruktura është parakusht i zhvillimit ekonomik. Ai theksoi se Kosova ka ngecur në infrastrukturën hekurudhore.
Për këtë, shefi i ekzekutivit kërkoi linja të veçanta hekurudhore për në Shqipëri dhe Mal të Zi.
“Kosova mund të mburret për infrastrukturën rrugore, por ngecim në infrastrukturën hekurudhore. Ka qenë e domosdoshëm rehabilitimi i kësaj linje. Një aspekt që na sfidon është infrastruktura energjetike dhe infrastruktura ujore. Kosovës do t’i duhej të ketë rezerva të ujit, siç ishte rasti i Gjilanit. Sot po niset rikthimi i linjës hekurudhore për në Han të Elezit. Ne kemi linje hekurudhore me Serbinë dhe Maqedoninë, por jo me Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është me interes që të ketë një linjë Prishtinë-Durrës. Ne na mungon po ashtu dhe infrastruktura e gazit natyror”, tha kryeministri Hardinaj.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se ky projekt është i rëndësisë së veçantë dhe premtoi dhe linjat tjera të cilat pritet të implementohen në vitet në vazhdim.
Përfaqësuesi i BE-së, Luigi Brusa foli për rëndësinë e granteve të BE-së në rajon, ku tha se nga gjithë shuma e këtyre granteve Kosova ka përfituar 10% apo rreth 100 milionë euro.
Ky projekt për të është i rëndësishëm, pasi po i lidh vendet e rajonit dhe do të rrisë kapacitetin e mallrave.
Brusa, po ashtu tha se BE-ja do të vazhdojë të përkrahë projektet në Kosovë, por kërkoi që të zbatohen dhe masat e tjera paraprake dhe reforma në sfera të ndryshme.
Shefi i zyrës së BEZH-it, Neil Tayler tha së deri me tani kanë investuar me miliona euro në Kosovë dhe theksoi se janë të kënaqur me këtë projekt.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Infrakos-it, Agron Thaçi tha se ky është një nga projektet më të rëndësishme, pasi sipas tij me anë të saj parashihet të bëhet linja me gjatësi 150 kilometra që e lidh Kosovën me rajonin.
“Ky projekt paraqet një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturor me mbështetje më të madhe që Kosova ka përfituar nga BE-ja. Me këtë projekt parashihet të bëhet linja me gjatësi 150 kilometra kjo është linja kryesore ndërkombëtare që lidh Kosovën me rajonin”, tha ai./KosovaPress/
Comments are closed for this post.